Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e ka bërë krenar fakti që “rojet ushtarake i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh”.
Tutje, Rama kritikuesit e tij i ka quajtur gjela të cilët, për interesa të tyre personale tentojnë që një situatë ta keqpërdorin e të dezinformojnë.
“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël”, ka shkruar Rama në Twitter.
Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!
— Edi Rama (@ediramaal) August 20, 2022
Po ashtu, Rama ka përfunduar shkrimin e tij duke iu uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve dhe pret zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Gjatë mbrëmjes të shtunës, dy ushtarë shqiptarë të cilët ishin caktuar me detyrë për ruajtjen e Uzinës së Përpunimit të Armëve në Gramsh, kanë mbetur të plagosur pasi janë përplasur fizikisht me tre shtetas të huaj me pasaporta ruse e ukrainase, të dyshuar si agjentë.
Ushtarët shqiptarë kanë dëgjuar lëvizje të dyshimta te tre persona, të cilët kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në Uzinë në Gramsh, dhe janë afruar për t’i larguar.
Në momentin që janë afruar kishte pasur një përleshje fizike mes ushtarëve shqiptarë dhe tre shtetasve të huaj, ku njëri prej tyre ka përdorur sprej dhe ka lënë të lënduar ushtarët shqiptarë.
Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka reaguar duke thënë se shtetasit e huaj, dy rusë dhe një ukrainas që kanë sulmuar ushtarët shqiptarë në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh janë ndaluar nga autoritetet.
Ndërsa, gjendja shëndetësore e dy ushtarëve shqiptarë thuhet që është stabile.
Arrestohen 3 sulmuesit në depon e armëve në Gramsh, dy ushtarë në spital