Pas raportimit të vdekjes së një qytetari si pasojë e rrëzimit të një lisi i shkaktuar nga erërat e forta, derisa një tjetër person ka mbetur i lënduar, ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rama teksa i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga rreziqet e shkaktuara nga moti i përkeqësuar.
“Me shumë keqardhje mora lajmin për humbjen e jetës së një qytetari si pasojë e dëmeve nga stuhia që përfshiu sot kryeqytetin. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e të ndjerit, dhe të lënduarëve iu uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.
“Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq i paralajmëruar për ditët në vijim”, shtoi Rama.
Ndërkaq, një person dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një lisi i shkaktuar nga erërat e forta.
Zëdhënësja e Policisë për Prishtinën, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar se një person i gjinisë mashkull i moshës 30 vjeç ka humbur jetën kurse është lënduar një grua e cila është dërguar në QKUK.
“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrezuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër po ashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë ajo.
Ndërsa, gjendja e të lënduarës rreth 30 vjeçare raportohet të jetë stabile.
Këtë për Portali D, e ka konfirmuar Sami Bajqinca – mjek në QKUK, i cili shtoi se e njëjta është dërguar për ekzaminime më të thella.
“Është dërguar për në ekzaminim, për ta bërë CT për tërë trupin për të parë se ku ka lëndime. Gjendja është stabile, por mund të ketë ndonjë lëndim serioz prandaj janë duke e dërguar për ta bërë CT”, ka thënë ai.
Kurse, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka bërë thirrje në rrjetin e tij social ‘Facebook’, për qytetarët të cilët gjenden në qytetin e Prishtinës, të kenë kujdes nga drunjtë.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se qytetarët duhet të kenë kujdes në pjesët e qytetit që kanë drunj përreth për shkak të kushteve të këqija atmosferike.