Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Shqipëria i bashkohet thirrjes së Qeverisë së SHBA-së për deeskalim të menjëhershëm në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Rama u ka bërë thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë që “të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi”.
Tutje, Rama ka thënë se Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Albania joins the US Government’s call for immediate de-escalation on the border between Kosova and Serbia. I urge Kosova’s and Serbia’s leadership to act responsibly and maturely. Albania is committed to Kosova’s security and stability.
— Edi Rama (@ediramaal) September 29, 2023
Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, ka thënë Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.
Lexo dhe: ShBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën
Ai ka thënë tutje se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.