Rama tregon pse tha që KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me kritikat që ka marrë pas deklaratës që KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e vendit

Kryeminsitri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama
Kryeminsitri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me kritikat që ka marrë pas deklaratës që KFOR duhet të marrë në kontroll veriun.

Përmes një postimi në platformën “X”, Rama ka theksuar se kërkesa e tij ka të bëjë pasi që KFOR-i është NATO dhe jo “një forcë pushtuese për llogari të Serbisë”.

“Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale. Nga ana tjetër u kemi ripërcjellë aleatëve arsyet e moslinjëzimit tonë me deklaratën e fundit të BE-së, duke vazhduar të kërkojmë qëndrimin e tyre publik, lidhur me grupin e armatosur kriminal që vrau efektivin e policisë së Kosovës dhe lidhur me zinë kombëtare në Beograd për pjesëtarët e asgjësuar të atij grupi”, ka thënë Rama.

Tutje, Rama i ka cilësuar si qesharake reagimet ndaj deklaratës së tij.

“Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”, u kujtoj sot se:

1.KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!

2.Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë.

3. E di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, prandaj është sa e dhimbshme, aq edhe qesharake, që edhe në këtë situatë kaq serioze për sigurinë në veriun e Kosovës, politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë merren me të tilla manipulime të ulëta emocionesh të qytetarëve të tyre, duke deformuar qëllimisht qëndrimet e mia. Keqardhje për ta, se për trimat e biznesit politik e mediatik të Tiranës, që janë gati t’ia venë zjarrin vetë Kosovës, bashkë me Shqipërinë për përmbysjen imagjinare të “regjimit” tim, nuk kam asnjë sekondë për të humbur”, ka shtuar kryeministri shqiptar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje që KFOR-i ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës për të parandaluar ndonjë konflikt më të madh, që, sipas tij, sot është më i mundshëm se asnjëherë më parë.

Në një konferencë për media të enjten, Rama ka thënë se një gjë të tillë e ka propozuar edhe në samitin e NATO-s.

Lexo dhe: Rama: Veriu i Kosovës të merret në kontroll nga KFOR-i

“Nga ana tjetër, dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Ndaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur larg dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet, se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur. Për të parandaluar në çdo mënyrë këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se herë të tjera, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, jo s’kemi trupa apo ndonjë arsye tjetër, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it, shumë më të madhe në trupa dhe me shumë vështirësi”, ka thënë Rama.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika