Rama u drejtohet me letër vendeve të KiE-së, kërkon nga ta një raport vijues në lidhje me pretendimet e Dick Marty-t

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka dërguar letër vendeve anëtare të KiE-së, për nisjen e procedurave për një raport vijues në lidhje me pretendimet e Dick Marty-t për trafikim organesh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama





Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u është drejtuar me një letër kryeministrave dhe presidentëve të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, duke kërkuar nga ta siç e ka quajtur “heqjen e njollës së turpit të trafikimit të organeve njerëzore”, nga kombi shqiptar dhe nga vetë Këshilli i Evropës.

Në letër Rama e ka bashkëngjitur edhe fjalimin e tij para disa ditësh në Asamblenë Parlamentare të KiE-së ku kishte mbajtur fjalim kundër raportit të Dick Marty-t dhe Gjykatës Speciale.

Në letrën e tij, Rama ka folur për historikun e raportit të Dick Marty-t dhe mënyrën se si ishte miratuar në KiE.

Kjo çështje sipas tij ishte shtyrë përpara nga anëtarët e partisë “Rusia e Bashkuar” e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Përkundrazi, ajo u çua më tej nga të tjerë, konkretisht nga anëtarët e partisë “Rusia e Bashkuar” e Putinit në Këshillin e Evropës, të cilët e instrumentalizuan atë për të ushqyer më tej narrativën ruse mbi Kosovën. Më pas, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës iu paraqit një raport (sërish, në mungesë provash). Nisur nga raporti dhe serioziteti i akuzave, në janar 2011, Asambleja miratoi rezolutën 1782, titulluar “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë”, ka shkruar Rama.

Letra e Edi Ramës, drejtuar liderëve të vendeve anëtare të KiE-së

Në shkrimin e tij, Rama thotë se nuk ka asnjë provë qoftë në Shqipëri apo kudo tjetër në rajon se ka pasur trafikim organesh.

“Njëmbëdhjetë vjet më vonë, të gjitha përpjekjet për hetime të bëra qysh atëherë, kombëtarisht, në rajon a ndërkombëtarisht, për të provuar pretendimet për trafikimin e organeve njerëzore, ia kanë dalë të vërtetojnë atë që dihej: nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore”, ka thënë Rama.

“Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare”, vijon shkrimi i tij.

Ai ka kërkuar nga Këshilli i Evropës që ta hartojnë një raport vijues, që do t’i hidhte poshtë pretendimet e raportit të ish-senatorit Marty.

“Më 13 tetor 2022, i paraqita këto argumente përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për t’i bërë thirrje për hartimin e një raporti vijues. Çështja ka një rëndësi sipërore, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e individëve të akuzuar padrejtësisht për krime që nuk i kanë kryer kurrë”, thuhet në letrën e Ramës.

Në fund Rama është shprehur optimist për mbështetjen e anëtarëve të KiE-së për hartimin e një raporti të ri vijues, për ta korrigjuar siç e ka quajtur ai “gabimin tragjik” të së kaluarës.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika