Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua ka propozuar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz të cilët i cilësoi si “kumbarë” të planit franko-gjerman.
Në një konferencë për media lidhur me situatën në veri të Kosovës, Rama ka deklaruar se për të, i pakuptueshëm mbetet pozicioni i Kosovës dhe jo ai i Serbisë.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft të Asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë, prej kohësh. Një gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët, dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë, që e përsëris, bën atë që ka bërë edhe herë të tjera. Palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst, e jo më se çka duhet të ketë teksti”, ka thënë Rama.
Ky i fundit ka thënë se beson që krijimi i Asociacionit në Kosovë paraqet një derë për hapjen e dyerve ndërkombëtare për Republikën e Kosovës.
“E kam ditur me kohë që “Nyja Gordiane” do të ishte Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do Asociacionin, dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke e mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificesh politike apo teknike. Nga ana tjetër, besoj, çdo ditë e më shumë, se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara e të gjitha forumet ndërkombëtare, dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama ka thënë se mbetet i shqetësuar për atë që ai e quajti “tkurrje e Kosovës” në sytë e aleatëve, gjersa mori si shembull rritjen e numrit të trupave në Kosovë. Sipas Ramës, kjo paraqet në uljet e kapacitetit sovran të Kosovës.
I njëjti ka thënë se për Kosovën nuk ka asnjë rrezik nga Serbia, gjersa theksoi se Serbia ka humbur Kosovën që nga viti 1999.
“Kosova ka që në vitin 1999 që nuk është në asnjë kërcënim. Nuk ka asnjë kërcënim. Zero. Kërcënimi është vetëm në mendjet e politikanëve në Kosovë dhe është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme, duke përdorur hijen e një kërcënimi që nuk ekziston. Serbia e ka humbur Kosovën përfundimisht në vitin 1999 dhe Serbia nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës as një fije floku. Këtë e di cilido që e shikon skenën pa interesat elektorale brenda Serbisë apo Kosovës”, ka deklaruar ai.
Draft-statutin e propozuar, Rama tregoi se nuk e ka biseduar me homologun e tij nga Kosova, kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, Rama tha se shqetësimi i tij mbetet ai për Kosovën.
“Natyrisht që unë dua vetëm suksesin e Albin Kurtit, Qeverisë së Kosovës, Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër. Por nuk mund të rrimë më duke parë, në kushtet kur realisht ajo që shoh, duhet ndarë me të gjithë, sepse është një kërcënim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët, në një nivel ku e humbura e madhe është Kosovë. Ky është shqetësimi im”, ka theksuar ai.
Që nga 26 maji, protestat në komunat në veri të vendit janë duke vazhduar pas zgjedhjes së kryetarëve të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Protestuesit kanë demoluar veturat e ekipeve të mediumeve kosovare dhe ato të Policisë së Kosovës.
Kosova u përjashtua nga një stërvitja ushtarake “Defender 23”, e udhëhequr nga SHBA-ja në Evropë, si shkak i mospërfilljes së këshillave të vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (SHBA) lidhur me hapat që sipas tyre duhej ndërmarrë nga ana e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.