Rama vazhdon turneun ballkanik, sonte takon Vuçiqin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur gjithë Kosovën pas vizitës së djeshme në kuadër të turneut ballkanik, ndërkaq të premten pritet të vizitojë Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, edhe të premten e 7 korrikut do të vazhdojë turneun e tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në mëngjesin e së premtes ai do të udhëtojë për në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj në Mal të Zi, ku do të takohet me kryeministrin, Dritan Abazoviq.

Ndërkaq në mbrëmje ai do të udhëtojë drejt Serbisë, ku do ta takojë presidentin, Aleksandër Vuçiq.

“MIRËMËNGJES dhe me një përshëndetje për krejt Kosovën, vazhdojmë drejt Sarajevës për ditën e dytë të takimeve në rajon”, ka shkruar Rama në Facebook.

Të enjten e 6 korrikut, Rama në Prishtinë është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja, pas takimit, tha se me Ramën diskutuan “proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit”. Turneu ballkanik i Ramës synon pikërisht të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

“U bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces [të Berlinit], e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit”, tha Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media.

Në këtë takim dypalësh u tha se u diskutua gjithashtu për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, dhe se presidentja Osmani theksoi se Kosova “ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”.

Mes të tjerash, sipas njoftimit të Presidencës, thuhet se Rama dhe Osmani u dakorduan që “të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve” të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Në takim Rama u prit edhe nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Rama më herët gjatë ditës njoftoi se Kosovës i janë dërguar 13 marrëveshjet të nënshkruara dhe pas kësaj, ai pret që homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, të konfirmojë takimin e paraparë të mbahet më vonë gjatë ditës. Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se edhe nga ana e saj janë nënshkruar të gjitha këto marrëveshje.

Rama iu referua 13 marrëveshjeve që do të duhej të nënshkruheshin gjatë mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë më 14 qershor, por që u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama në Twitter.

Megjithatë, deri të enjten mbrëma, një takim mes dy kryeministrave nuk u zhvillua.

Gjatë ndalesës së parë të këtij turi, Rama deklaroi në Shkup që “unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera. Është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën”.

Më 5 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i propozoi Ramës një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, dhe me atë rast të nënshkruhen marrëveshjet “që janë të dakorduara që janë në sirtarë dhe në këtë mënyrë t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”.

Rama këto vizita po i zhvillon për t’u konsultuar me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor para Samitit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

 

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika