Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje që KFOR-i ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës për të parandaluar ndonjë konflikt më të madh, që, sipas tij, sot është më i mundshëm se asnjëherë më parë.
Në një konferencë për media të enjten, Rama ka thënë se një gjë të tillë e ka propozuar edhe në samitin e NATO-s.
“Nga ana tjetër, dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Ndaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur larg dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet, se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur. Për të parandaluar në çdo mënyrë këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se herë të tjera, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, jo s’kemi trupa apo ndonjë arsye tjetër, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it, shumë më të madhe në trupa dhe me shumë vështirësi”, ka thënë Rama.
Rama: Kërkojmë nga BE-ja dënimin e paekuivok të vrasjes së policit në veri të Kosovës
Rama, po ashtu, ka thënë se kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të dënohet pa ekuivok vrasja e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të dielën.
E po ashtu ai ka kërkuar të dënohet veprimi i Serbisë që shpalli ditë zie të mërkurën për sulmuesit e vrarë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit të dielën.
“Çfarë ne kërkuam në komunikim me miq në Bruksel e çfarë kërkojmë edhe sot, nuk është rezultati i një hetimi që është i mirëseardhur padyshim, por dënim pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të policisë së shtetit të Kosovës në veriun e Kosovës nga një grup kriminal e po ashtu edhe dënimin e aktit absurd të nderimit kombëtar në Serbi të disa kriminelëve të veshur me uniforma ushtarake dhe të armatosur deri në dhëmbë”, ka thënë Rama.
Ndryshe, më 24 shtator, grupi që fillimisht sulmoi policinë e cila po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në Manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi sulmet ndaj policisë.
Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera, që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, policia bëri të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.
Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.