Pas shpalljes së Donald Trump si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, analisti Sadri Ramabaja, ka theksuar se zgjedhja e Trump mund të përshpejtojë disa procese gjeopolitike, duke përfshirë rigrupimin e disa shteteve evropiane rreth SHBA-së, si Britania e Madhe, Polonia dhe vendet e Baltikut, përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Ramabaja, duke komentuar ndikimin e mundshëm të zgjedhjes së Trump, ka deklaruar se kjo mund të shënojë fillimin e fundit të demokracisë liberale në perëndim, duke krahasuar fjalët e Trump me ato të liderëve si Viktor Orban në Hungari.
Megjithatë, ai është optimist për të ardhmen e Kosovës.
Sipas tij, SHBA-ja me krye në Trump nuk do ta dëmtojë Kosovën, por përkundrazi, mund të sjellë mundësi të reja.
“Është fillimi i fundit të demokracisë liberale, ose fundi i demokracisë liberale dhe më fuqishëm. Sepse Trump në disa prej fjalimeve të tij ishte shprehur se nëse më zgjedhin njëherë nuk keni nevojë të më zgjidhni prapë. Pak a shumë të njëjtën formulë që e kishte aplikuar Orban në Hungari. Meqë po ndërlidhet gjithsesi me Kosovën, unë mendoj se pozicionimi i SHBA-së nuk do ta demontojë Kosovën në asnjë mënyrë përkundrazi këtij ndryshimi të madh, historik jo thjesht vetëm pse është zgjedhur për herë te dytë Trump”, ka deklaruar Ramabaja ne Debat Plus.