Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka deklaruar se ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elber Krasniqi, i është ndaluar hyrja në objektin e komunës së Zveçanit nga ana e KFOR-it.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur të hënën derisa ministri kishte shkuar për ta takuar kryetarin e komunës së Zveçanit.
“KFOR-i nuk lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e komunës së Zveçanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekës, derisa ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar kryetarin e komunës së Zveçanit”, ka shkruar Ramadani në Facebook.
Ai tutje ka thënë se KFOR-i ka kthyer mbrapsht ministrin Elbert Krasniqi nga komuna e Zveçanit, “duke dhënë kështu një indikacion për mua, shqetësues për fazën se si KFOR duket që ka vendosur t’i ushtrojë kompetencat e veta”.
“Në fakt, KFOR-i nuk ka pasur të drejtë t’i ndalojë hyrjen ministrit Krasniqi, ndërsa kjo është një dëshmi fort e keqe për nivelin e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare ushtarake”, ka shtuar Ramadani.
Lidhur me këtë çështje, Portali Dukagjini ka provuar të kontaktojë me ministrin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.