Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pritet të vendosë për tarifat e reja të energjisë elektrike, ku vitin e kaluar këto tarifa kishin rritje prej 15%.
Sipas njohësit të sektorit të energjisë, Adlum Ramadani, në vitet e fundit sektori i energjisë ka pësuar ndryshime pozitive, për shkakun se Kosova ka një treg të përbashkët me Shqipërinë.
I ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull”, Ramadani ka thënë se faturimi në veri të vendit është veprim adekuat.
“Shtrirja e faturimit të energjisë në veri është një veprim mjaft i duhur, kjo është një hap që ka ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin energjetik, ku çështja e humbjeve për pjesën veriore pastaj reflekton në koston e përgjithshme të konsumit në nivel të vendit.”
Eksperti i energjisë u shpreh se ndikim në çmimin e energjisë kishte edhe nga lufta në Ukrainë.
“Kemi situatë më të qëndrueshme të furnizimit me energji elektrike, dhe çështja e importit të energjisë është me çmime bukur me të ulëta, pasi lufta në Ukrainë bëri që çmimi i energjisë të pësojë rritje të madhe, ku e njëjta reflektoi edhe në rritjen e çmimeve të energjisë edhe në Republikën e Kosovës,” u shpreh ai.
Për dallim nga viti i kaluar, sipas njohësit të energjisë, kemi një situatë më stabile, më të qëndrueshme, dhe kemi një likuiditet më të madh të kompanive të cilat janë duke operuar në Kosovë.
“Shpresojmë se në mbledhjen që do mbahet në ZRRE nuk do të ketë rritje të energjisë, shpresojmë që çmimet e energjisë të vazhdojnë të jenë siç kanë qenë.”
E shfrytëzimin e energjisë elektrike për ngrohje, Ramadani nuk e cilëson si të drejtë.
“Fatkeqësisht në Kosovë energjia elektrike vazhdon të shfrytëzohet për ngrohje, ku është një shfrytëzim joadekuat i energjisë pasi që me këtë shfrytëzim rritet konsumi.”
Sipas Ramadanit, rritja e konsumit i detyron operatorët që të bëjnë import të energjisë, dhe ato çmime nuk përcaktohen nga rregullatori, por janë çmime që i përcakton tregu ndërkombëtar.