Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, i ka reaguar, Aleksandar Vuçiqit, duke thënë se presidenti serb është një “Millosheviq i vogël pa dhëmbë”, i cili po vazhdon retorikën ultra-nacionaliste që mban tensione të vazhdueshme në rajon.
Deklarata e Ramadanit vjen pas fjalimit të mbrëmshëm të Vuçiqit, ku presidenti serb prezantoi disa kërkesa ndaj Kosovës.
Ramadani e konsideron Vuçiqin si një version modern të Millosheviqit, duke theksuar se qëllimet e tij mbeten të njëjta: krijimi i “Serbisë së Madhe” apo “Botës Serbe” në dëm të popujve të tjerë të Ballkanit.
“Vuçiq – një Millosheviq i vogël pa dhëmbë
Retorika ultra-nacionaliste e lidershipit në Serbi jo vetëm që po dëmton mundësitë për ecje para të rajonit tonë, por edhe po mban tensionimin në gjendje të vazhdueshme. Nuk do mend që – bazuar në retorikën dhe veprimet – Vuçiq është një Millosheviq i ri, derisa atij të vjetrit i pati shërbyer me besnikëri.
Dallimi i Vuçiqit mE Millosheviqin nuk është te qëllimi, por te kapaciteti.
Vuçiqi sot është pa dhëmbë. Nuk ka kapacitet luftarak, megjithëse qëllimet i ka të njëjta me paraardhësit e tij politik. Pra, synon “Serbinë e Madhe” apo “Botën Serbe” në kurriz të popujve tjerë në Ballkan”, ka shkruar Ramadani në Facebook.
Në të njëjtën kohë, Ramadani thekson se Kosova nuk duhet të frikësohet nga veprimet e Vuçiqit. Sipas tij, rruga drejt sigurisë kombëtare të Kosovës kalon përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe NATO.
“Në anën tonë, në Kosovë, e tërë rruga përpara është dhe duhet të mbetet qëllimi dhe veprimi në anëtarësil në NATO. Duke pasur NATO-n që na mbron, Kosova duhet dhe mund të bëjë hapa seriozë drejt anëtarësimit.
Normalisht, këtë interes kombëtar së pari duhet kuptuar thelbësisht dhe, së dyti, duhet bashkëvepruar me partnerët kryesorë.
Mumdësitë që ka Kosova për të përmbyllur sigurinë e vet kombëtare janë mundësi unike. Sa më shumë gabime taktike aq më shumë huqje strategjike. Dhe, kjo pastaj kthehet në situatë të pafalshme.
Kosova nuk frikësohet nga dhëmbët e Vuçiqit. Në të njëjtën kohë, veprimet e Kosovës duhet të jenë në bazë të planifikimeve afatgjata dhe të mos ndikohen në asnjë rast nga panikat vendimmarrëse të caktuara”, ka shtuar Ramadani.