Albin Kurti si kryeministër dy takime të përbashkëta i ka zhvilluar me Qeverinë e Shqipërisë dhe po aq me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Në takim me homologun maqedonas të hënën, Kurti tha se është i gatshëm, i interesuar, dhe i vullnetshëm për takim të ri, ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Kosovë ka deklaruar se nuk e di datën se kur do të ketë një takim të ri.
Në sytë e ish-ambasadores në Itali e cila ka prejardhje nga Shqipëria, faji mund të jetë i dyanshëm, por protagonizmi i Kosovës dhe raportet me shtetet tjera, më shumë fajtore e lënë Kosovën.
“Për sa i përket protagonizmit dhe ambicijeve personale sigurisht këto kërkojnë analiza por janë shumë të parëndësishme kur është puna tek bashkëpunimi të cilin e kanë premtuar dhe z.Kurti ka premtuar që sidomos raportet me Shqipërinë do ti ketë, dhe njerëzit kanë pritur në nivelin më të lartë, në fakt po ndodh krejtësisht e kundërta”, ka thënë Alma Lama – Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali.
Në Shqipëri situata lexohet pak më ndryshe.
“…çdo gjë vjen për arsye se Rama nuk ka zgjedhur Kosovën si partner strategjik të saj, por është i angazhuar në projekte të ndryshme sidomos me Vuçiqin, dhe për një kohë ka qenë pro-ballkanit të hapur”, ka thënë Agim Nesho – Ish-ambasador i Shqipërisë në OKB.
Nesho përmend propozimin e Ramës për asociacionin, shtyrjen ose anulimin e takimit të dy-qeverive, si dhe paralajmërimet për presionet ndërkombëtare, si veprime të cilat i kanë sjellë raportet në këtë pikë.
Në anën tjetër gazetari nga Shqipëria, Ben Andoni, vlerëson se faji për raportet e acaruar mund të jetë i dyanshëm, por edhe në rast se do të ketë një takim të ri sipas tij do të jetë së për zbukurim, e jo në dobi të raporteve Kosovë-Shqipëri.
“Përveç pjesë turistike që në muajt e verës ose për disa muaj heqim këtë pjesën e dokumentimit, pastaj pjesa tjetër vazhdon si jemi dy vende të ndara. Prandaj duket më normal sot një takim i Qeverisë s Kosovës me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Ben Andoni – Gazetar (Analist) nga Shqipëria.
Andoni vlerëson se sa më shumë që kalon koha aq më shumë njerëzit që drejtojnë politikat e dy vendeve shqiptare po ndahen me njëri tjetrin, përkundër interesave që ka një popull i ndarë në dy shtete.