Raporti i administratës Biden për tërheqjen nga Afganistani fajëson ish-presidentin Trump

Shtëpia e Bardhë ka publikuar një përmbledhje prej 12 faqesh të raportit rreth përfundimit të luftës më të gjatë të vendit, duke marrë pak përgjegjësi për veprimet e veta dhe duke pohuar se Biden ishte kufizuar së tepërmi nga vendimet e administratës Trump. Shtëpia e Bardhë thotë se gabimet e bëra në Afganistan kanë ndikuar në trajtimin e situatës në Ukrainë

Ish-presidenti i ShBA-ve, Donald Trump dhe presidenti i ShBA-ve, Joe Biden

Administrata e presidentit të SHBA-së Joe Biden të enjten ia hodhi fajin paraardhësit të tij, presidentit Donald Trump, për tërheqjen kaotike të trupave amerikane në vitin 2021 nga Afganistani, që solli disa nga momentet më të errëta të presidencës së Biden.

Shtëpia e Bardhë publikoi një përmbledhje prej 12 faqesh të raportit rreth përfundimit të luftës më të gjatë të vendit, duke marrë pak përgjegjësi për veprimet e veta dhe duke pohuar se zoti Biden ishte kufizuar së tepërmi nga vendimet e administratës Trump.

Dokumenti i shkurtër u hartua nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe jo nga një entitet i pavarur, me kontributin edhe të vetë Presidentit Biden.

Presidenca amerikane tha se rishikimet e hollësishme të kryera nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni, të cilat Shtëpia e Bardhë tha se do t’i transmetoheshin privatisht Kongresit të enjten, ishin shumë të klasifikuara dhe nuk do të bëheshin publike.

“Vendimet e presidentit Biden për mënyrën se si të ekzekutohej tërheqja nga Afganistani u kufizuan rëndë nga kushtet e krijuara nga paraardhësi i tij”, thuhet në përmbledhjen e Shtëpisë së Bardhë, duke vënë në dukje se kur zoti Biden filloi detyrën, “talebanët ishin në pozitat më të forta ushtarake që nga viti 2001, duke patur nën kontroll, ose duke sfiduar autoritetet në pothuajse gjysmën e vendit”.

Ish-presidenti Donald Trump u përgjigj duke akuzuar administratën Biden se po luan “një lojë të re dezinformimi” për të tërhequr vëmendjen nga “Dorëzimi i tyre jashtëzakonisht i paaftë në Afganistan”. Në faqen e tij të mediave sociale, ai tha se “Biden është përgjegjës, askush tjetër!”

Shtëpia e Bardhë thotë se gabimet e bëra në Afganistan kanë ndikuar në trajtimin e situatës në Ukrainë, ku administrata e presidentit Biden është vlerësuar për mbështetjen e ofruar Kievit kundër agresionit rus.

“Tani i kemi prioritet evakuimet më të hershme kur përballemi me një situatë të sigurisë në degradim”, tha Shtëpia e Bardhë.

Republikanët në Kongres e kanë kritikuar ashpër tërheqjen nga Afganistani, duke u përqëndruar në vdekjen e 13 anëtarëve të shërbimit ushtarak amerikan në një sulm vetëvrasës në aeroportin e Kabulit, i cili gjithashtu vrau mbi 100 afganë.

Shawn Vandiver, një veteran i marinës dhe themelues i lëvizjes #AfghanEvac, një inciativë për të ndihmuar afganët që ikin nga vendi, e quajti raportin një “hap tjetër të rëndësishëm”.

Por senatori republikan Tom Cotton, shkruajti të enjten në rrjetin social Twitter se tërheqja ishte “një dështim”, duke shtuar se publikimi i një raporti që ka për qëllim zhvendosjen e fajit gjetiu nuk do të ndryshojë gjë.

Raporti i administratës së presidentit Biden duket se shmang përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës të 26 gushtit 2021 në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai, duke thënë se ishte ushtria amerikane ajo që mori një vendim ndoshta kyç.

“Për të menaxhuar kërcënimin e mundshëm të një sulmi terrorist, presidenti ka pyetur vazhdimisht nëse ushtria kërkonte mbështetje shtesë për të kryer misionin e tyre në Aeroportin e Kabulit”, thuhet në raport, duke shtuar se, “Zyrtarët e lartë ushtarakë konfirmuan se kishin burime të mjaftueshme për të menaxhuar kërcënimet.”

Që nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara, presidenti Biden ka fajësuar marrëveshjen e shkurtit 2020 që Trump arriti me talebanët në Doha të Katarit, duke thënë se ajo i shtyu Shtetet e Bashkuara të largoheshin nga vendi. Marrëveshja është fajësuar nga analistët për dobësimin e qeverisë afgane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e cila u rrëzua vitin pasues.

Pas tërheqjes nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara kryen një operacion të suksesshëm për të vrarë udhëheqësin e al-Kaidës, Ayman al-Zawahri. /VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika