Këto epruveta e pajisje tjera që nevojiten për analiza toksikologjike, duket se nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga toksikologu përgjegjës.
Në një raport të auditimit të brendshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ngriten shumë pakënaqësi për punën e njëri nga tre punonjësit të laboratorit të toksikologjisë.
Përpiluesit e këtij auditimi duke ruajtur identitetin e toksikologut, thonë se i njëjti refuzon qe t’i kryej disa nga punët në bazë të përshkrimit të detyrave të tij.
Raporti i Auditimit të IML-së thotë se “Toksikologut në prill 2021 është iniciuar procedurë disiplinore ndaj tij dhe komisioni ka ndërmarrë masa disiplinore. Vlerësimi i punës për toksikologun është kryer nga Udhëheqësi i Divizionit të Mjekësisë Ligjore dhe është vlerësuar me notën 4.3. për vitin 2021. Në bazë te kësaj ne konstatojmë se i njëjti refuzon qe t’i kryej disa nga detyrat në bazë të përshkrimit të detyrave të tij, me arsyetimin se këto duhet t’i kryej tekniku i laboratorit ndërsa zyrtari në fjalë të përpiloj raportin mbi analizat”.
Në këtë raport vihet në theks edhe mungesa e ekipit në laboratorin e toksikologjisë.
Raportim i Auditimit të IML-së tutje thotë se “Në marrëdhënie punë në laboratorin e toksikologjisë janë tre zyrtare. Aktualisht në laboratorin e toksikologjisë është duke punuar vetëm një zyrtare(laborante),njëra është në pushim të lehonisë, ndërsa toksikologu nuk e kryen punën në bazë të përshkrimit në konkurs”.
Dokumenti i brendshëm i IML-së, që e ka siguruar Dukagjini, poashtu flitet për inicim të procedurave disiplinore ndaj mjekut të njëjtë i cili shumë herë duket se ka “protestuar”, por nuk tregohen se cilat janë arsyet e pakënaqësive të tij.
Televizioni ka raportuar edhe ditëve të kaluara për këtë raport, sipas të cilit gjithashtu, janë mbi 600 autopsi të papërfunduara.