Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore, dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Raporti i Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se, Shqipëria në Kushtetutën e saj, garanton lirin e besimit, Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, dhe se shteti është neutral në çështjet e besimit.
“Shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare sipas Kushtetuës së Shqipërisë”, thuhet në raportin e DASh-it.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë, ka marrëveshje me Komunitetin Mysliman Shqiptar, Komunitetin Mysliman Bektashi, Kishën Katolike, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë. Këto marrëveshje i njohin këto grupe si komunitetet kryesore fetare të vendit dhe trajtojnë kthimin e pronave dhe rregullime të tjera.
Në raportin e DASh-it, thuhet se Qeveria kishte legalizuar 62 ndërtesa të cilat ishin në pronësi të grupeve fetare gjatë vitit 2021, që ishin ndërtuar pa leje ndërtimi, krahasuar me 92 sa ishin legalizuar në vitin 2020. Ndërsa 25 prona të tjera ende mbetën në shqyrtim.
Pesë bashkësitë fetare, që kanë marrëveshje me qeverinë, vazhduan të shprehnin shqetësime për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, duke deklaruar se korrupsioni, mungesa e njohurive të qeverisë për kompetencat dhe juridiksionin për çështjet e pronësisë dhe ngarkesat e mëdha të çështjeve në sistemin gjyqësor, penguan përmbushjen e kërkesave të tyre.
Në vitin 2020, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, kishte krijuar një regjistër zyrtar për të treguar sasinë, vlerën dhe pronësinë mbi pasuritë e patundshme, raportoi sfida në procesin e kthimit të pronave që shfrytëzohen nga palët e tjera, duke siguruar kompensim me prona të tjera, ose duke paguar kompensim në para.
Drejtuesit e Vëllazërisë Ungjillore kishin raportuar për vështirësi të vazhdueshme për sigurimin e lejes për ndërtimin e objekteve të adhurimit. Komuniteti Bektashi dhe Komuniteti Mysliman raportuan sërish probleme për mbrojtjen e të drejtave të tyre mbi disa prona.
Pesë bashkësitë kryesore fetare vazhduan t’i kërkojnë qeverisë lirimin nga taksa të caktuara shtetërore, sipas marrëveshjeve dypalëshe. Megjithëse, mbështetën masat e qeverisë për parandalimin e COVID-19-tës, udhëheqësit fetarë u ankuan se qeveria nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë financiare për t’u përballuar me ndikimin e pandemisë, dhe se kufizimet në tubimet publike, penguan mbledhjen e fondeve.
Në shtator, qeveria dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit hapën procesin e tenderit për ndërtimin e një muzeu në Vlorë, kushtuar përpjekjeve të vendit për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Raporti përmend se në prill, një burrë sulmoi besimtarët në një xhami në Tiranë, duke plagosur pesë veta. Prokurorët kërkuan që sulmuesi, i konvertuar në Islam, të shtrohej në spital për shkak të një historie të sëmundjes mendore.
Sipas një raporti të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), shumica e mediave në vend që u referohen hebrenjve, u përqendruan në kujtimin e Holokaustit dhe marrëdhënieve të mira të vendit me Izraelin, megjithëse kishte disa shkrime që përhapnin teori konspirative për hebrenjtë.
Ambasada amerikane, thuhet në raport, u bëri thirrje zyrtarëve qeveritarë që të përshpejtojnë trajtimin e pretendimeve për pronat dhe t’u kthejnë grupeve fetare ndërtesat dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste. Zyrtarët e ambasadës u takuan me përfaqësues të komuniteteve fetare për të diskutuar marrëdhëniet ndërfetare dhe qeveritare, sfidat lidhur me legalizimin dhe kthimin e pronave, si dhe sfidat financiare të shkaktuara nga kufizimet për shkak të pandemisë së COVID-19. Programet e mbështetura nga ambasada, duke përfshirë programet për të rinjtë, u përqendruan në zhvillimin e gjithëpërfshirjes së komunitetit, promovimin e fuqizimit të grave në komunitetet fetare dhe theksimin e përputhshmërisë së besimit fetar dhe demokracisë.
Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011, myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare.
Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare. Bashkësitë fetare drejtojnë 113 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore.
Raporti i DASh-it mbi liritë fetare: Kosova me probleme të trashëguara