Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar pesë raste të falsifikimit të parave.
Nëpërmjet raportit 24-orësh, policia ka njoftuar se mashtrimet e raportuara me para të falsifikuara janë hasur në katër komuna të ndryshme të vendit, Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe Vushtrri.
Në Komunën e Prishtinës, sipas njoftimit të policisë, një grua ka raportuar se ka hasur në disa kartëmonedha që dyshohet të jenë të falsifikuara, dhe se rasti tashmë është në procedurë hetimore.
Ndërkaq, në Komunën e Gjilanit, në rrugën “Isa Boletini”, rreth orës 19:30, një grua ka raportuar se nga një person ka pranuar një shumë të falsifikuar prej 100 eurosh.
“Monedha është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet nga policia.
Po ashtu, edhe në Komunën e Prizrenit në rrugën “Besim Shala”, rreth orës 12:18, një burrë ka raportuar në polici se ka hasur në disa kartëmonedha që dyshohet të jenë të falsifikuara, të depozituara nga persona të panjohur.
Dhe, sipas njoftimit, nga policia rasti tashmë është nën hetim.
Po ashtu, në Prizren rreth orës 14:30, një grua ka raportuar se gjatë numërimit të parave ka hasur në një shumë prej 100 eurosh që dyshohet se është e falsifikuar dhe rasti është nën hetim nga policia.
Ndërkaq, në Komunën e Vushtrrisë, në rrugën “Hasan Prishtina”, më 27 janar, një person ka raportuar se ka pranuar një shumë prej 20 eurosh që dyshohet se është të falsifikuara.
Sipas policisë, shuma e parave është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.
Kujtojmë se, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar më 14 mars, pas kapjes së një sasie të konsiderueshme të monedhave të falsifikuara në Prizren.
“Dukuria e prodhimit dhe futjes në qarkullim të monedhave të falsifikuara vazhdon të mbetet fakt tejet shqetësues, përveç që një akt i tillë është edhe vepër penale”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës dhe akterët e tjerë të sigurisë janë të angazhuar maksimalisht në lokalizimin dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë aktivitet ilegal.