Në një raport të publikuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) për vitin 2022, lufta në Ukrainë do të ndikojë që 41 mijë e 450 njerëz, duke përfshirë këtu 16 mijë e 354 fëmijë, të jetojnë në varfëri në Kosovë.
Sipas këtij raporti, Kosova është vendi me shkallën më të lartë në rajon të njerëzve që shkojnë në varfëri për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovë kanë thënë se kjo luftë ka ndikuar që të ketë ngritje të çmimeve në Kosovë.
Ekonomisti, Naim Huruglica për Portali Dukagjini ka thënë se kriza e shkaktuar fillimisht nga pandemia Covid-19 e pastaj edhe nga lufta në Ukrainë, ka sjellë situatën deri tek rritja e çmimeve të shumë produkteve, përfshirë produktet ushqimore, gjë e cila ka ndikuar më së shumti te shtresat e varfëra.
“Çmimet e rritura i kanë prekur të gjitha shtresat e shoqërisë, por më së shumti shtresën e varfër. Varfërimi i mëtejmë i një pjese të shoqërisë sjellë pasoja të mëdha, jo vetëm për familjet e prekura direkt por edhe për vetë ekonominë e vendit, pasi bie konsumi, bien investimet, rritet barra sociale mbi shtetin dhe shoqërinë”, ka deklaruar Huruglica.
Po ashtu, ai ka thënë se dimri i këtij viti pritet të jetë i rëndë, posaçërisht për shtresat nën nivelin mesatar.
“Ky dimër pritet të jetë i rëndë, posaçërisht për familjet e varfëra. Çmimet e naftës dhe derivateve të saja janë rritur dhe nuk pritet që këto çmime të bien. As tek pjesa e ushqimeve nuk pritet një rënie e çmimeve. Po ashtu, konsumi i energjisë elektrike gjatë dimrit pritet të rritet dhe në mungese të energjisë së mjaftueshme në treg, çmimi pritet të rritet po ashtu”.
Gjithashtu edhe ekonomisti, Astrit Ratkoceri për Portali Dukagjini ka thënë se ky dimër pa dyshim se do të jetë shumë i vështirë, për shkak të krizës energjetike dhe për shkak të krizës ekonomike.
“Siç dihet tani më vetëm se janë rritur shumë çmimet e të gjitha produkteve të cilat qytetarët i përdorin për ngrohje, në anën tjetër vetëm se ka paralajmërime se do të ketë edhe mungesë të madhe të energjisë elektrike me çka kuptojmë se përveç të gjitha problemeve tjera për të siguruar produktet bazë për jetesë, qytetarët këtë dimër do ta kenë mjaft problematike edhe çështjen e ngrohjes”, ka deklaruar Ratkoceri.
Të dy ekonomistët kanë propozuar që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa në lidhje me krizën ekonomike në vend.
Ratkoceri ka thënë se Qeveria do të duhej të ofronte zgjidhje dhe ndihmë konkrete duke ndihmuar qytetarët në forma të ndryshme për të tejkaluar këtë kohë krize dhe jo të bllokojë mjetet në llogari bankare.
Sipas tij, do të duhej të merrej parasysh heqja e TVSh-së për produkte baze, përkrahja e bizneseve për të rritur numrin e punëtorëve, ofrimi i kushteve të volitshme për tërheqjen e investitorëve të huaj duke krijuar kështu vende punë në afat sa më të shpejtë, ndihma e drejtpërdrejtë për qytetarët që kanë nevojë duke bërë klasifikimin e tyre dhe jo duke shpërndarë mjete për të gjithë pa dallim.
Edhe ekonomisti Huruglica ka thënë se qeveria duhet të gjejë metoda të përshtatshme per te ndihmuar qytetarët, sidomos shtresat e varfëra.
Njësoj edhe ai ka propozuar që të heqet TVSh për produktet bazë.
Sipas ekonomistëve në aspektin ekonomik ky raport është tronditës, pasi do të ketë rënie të fuqisë blerëse dhe rritje të nevojës për ndihmë nga shteti.
Ndërsa për Shqipërinë raporti gjen se nga 35.4 mijë persona që do të bien në varfëri në Shqipëri, rreth 9 mijë prej tyre janë fëmijë.
Kurse, sipas shifrave në rajon, në Serbi pritet t’i shtohen listës së të varfërve 28 mijë persona, në Bosnjë dhe Hercegovinë 17 mijë, në Maqedoninë e Veriut 5.5 mijë dhe në Mal të Zi me 913.
Sipas këtij raporti, lufta në Ukrainë dhe rritja e kostos së jetesës si pasojë e saj, ka zhytur miliona fëmijë të tjerë në varfëri në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në muajt e fundit.