“Raporti për lirinë e medias”, Rexha: Nuk ishte befasi, qeveria i kishte ndërmarrë veprimet me vetëdije të plotë

"Nuk ka qenë befasi, sepse me ato që kanë ndodhur vitin e kaluar kjo ka qenë e pritshme. Të gjitha veprimet që qeveria i ka ndërmarrë i ka ndërmarrë me vetëdije të plotë. Ne nuk duhet të mburremi, sepse është alarmuese kjo renditje që u bë sot për Kosovën", ka deklaruar kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se për të nuk ka qenë befasi raporti i organizatës “Reporterët pa Kufij”, të cilët e renditën Kosovën 19 pozita më poshtë sa i përket lirisë së shtypit.

Kjo pasi, sipas tij, në vitin që lamë pas ka pasur shumë zhvillime në aspektin e lirisë së medieve, dhe se kjo renditje e Kosovës ka qenë e pritshme.

Ai në emisionin “FIVE” ka thënë se ato që janë përmendur në raport, janë bërë me vetëdije të plotë nga qeveria, si rasti i Klan Kosovës dhe rasti i RTK-së, duke theksuar se ka qenë i pakënaqur me gjuhën neutrale që është përmendur në raport për sulmet ndaj gazetarëve në veri.

“Nuk ka qenë befasi, sepse me ato që kanë ndodhur vitin e kaluar kjo ka qenë e pritshme. Të gjitha veprimet që qeveria i ka ndërmarrë, i ka ndërmarrë me vetëdije të plotë. Ne nuk duhet të mburremi, sepse është alarmuese kjo renditje që u bë sot për Kosovën”, ka thënë Rexha.

Ai ka përshëndetur reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me këtë raport, i cili tha se do të adresojë shqetësimet e medieve, duke shtuar se shpreson që “realisht ta bëjë këtë”.

Si adresim të shqetësimeve të medieve, Rexha ka thënë se si hap të parë Kurti duhet ta bëjë ndalimin e dërgimit në lexim të dytë të ligjit për KPM-në.

“Reagimi i tij është në Twitter, i jepet një audience ndërkombëtare, si një përpjekje të qeverisë që të adresojë shqetësimet e mediave, e përshëndes atë që ka shkruar, hapi i parë është që ta ndalojë dërgimin e ligjit të KPM-së në lexim të dytë”, ka vijuar ai.

Ndryshe, Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75-të në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediet në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

“Rregullatori joefikas i medieve, Komisioni i Pavarur i Mediave [KPM], po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga Qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK, me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet në postin e drejtorit. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Në raport thuhet se gjatë vitit, gazetarët në Kosovë kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe “rrjetet kriminale kanë penguar punën e tyre”. Në raport thuhet po ashtu janë rritur paditë SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] ndaj gazetarëve.

“Edhe pse sulmet po hetohen nga policia dhe prokuroria, rastet rrallë ndiqen penalisht. Sulmet ndaj gazetarëve janë rritur në kohën e tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në raport.

Gazetarët kanë qenë cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve të tyre majin e vitit të kaluar në veri të Kosovës, kur u rritën tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij u tha po ashtu se mediet në Kosovë janë të varura nga reklamat qoftë “nga Qeveria apo nga partitë politike”.

“Për më tepër, përmes pronarëve të tyre, mediat private janë të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfida edhe më të mëdha në tregun e vogël, ku disa media varen nga financimi që vjen nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk mund të mbijetojnë pa financim ndërkombëtar”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika