Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”. Në këtë vit, Kosova renditet në vendin e 75-të, ndërsa vitin e kaluar renditej në vendin e 56-të.
Profesorët universitarë këto rezultate i vlerësojnë si shqetësuese dhe se të njëjtat duhet të merren si alarm për të gjithë shoqërinë tonë.
Profesori në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Alban Zeneli, në një prononcim për Dukagjinin ka thënë se këto rezultate pasqyrojnë gjendjen reale të gazetarëve dhe të medieve në Kosovë.
Profesori Zeneli ka thënë se njëri ndër “shkaktarët” për këto rezultate janë edhe sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit gjatë vitit të kaluar, kur ajo pjesë ishte e tensionuar.
Ai ka shtuar se kjo vjen edhe nga tentativat e vazhdueshme të pushtetit për t’i mbyllur televizionet, referuar rastit të mediumit Klan Kosova.
Zeneli ka theksuar se një ndër problemet kryesore është edhe gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve në përgjithësi, e që e njëjta, sipas tij, po merr përmasa të mëdha.
Ndërsa, profesori tjetër universitar në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Faton Ismajli, ka thënë se ky është lajm i keq për Kosovën, demokracinë, median dhe për qytetarët e Kosovës.
Ismajli ka thënë se pushteti, opozita dhe e gjithë shoqëria duhet të luftojnë për ta përmirësuar indeksin e lirisë së medieve.
Ai është shprehur se në këtë rast duhet një reagim strukturor dhe një reagim shoqëror që gjithë ato gjetje të adresohen që të fillojë të ndryshojë kjo gjendje.
Ai ka thënë se ambienti i të bërit gazetari në vend pa asnjë dyshim është i rëndë dhe i vështirë dhe se, sipas tij, Qeveria e ka obligim të punojë për ta përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.
Ismajli ka theksuar se rrethanat që kanë ndikuar në këto rezultate janë sulmet e orkestruara të pushtetit ndaj medieve, fushatave linçuese ndaj gazetarëve, rasti i “Klan Kosovës” dhe sulmet në veri ndaj reporterëve.
“Qeveria duhet të ndërmarrë veprime urgjente për t’i ndalur thirrjet kundër gazetarëve, të ndalë idenë t’iu bëjë presion mediave si në rastin e Klan Kosovës, si dhe të mos çojë përpara ligjin për KPM, siç është aktualisht, pasi cenon edhe më shumë lirinë e mediave. Të krijojë edhe më shumë siguri për gazetarët që raportojnë në veri”, ka deklaruar profesori për Dukagjinin.
Ismajli ka deklaruar se fillimisht pushteti duhet ta lexojë drejt raportin e “Reporterëve pa Kufij”, pastaj duhet të mos i shohë mediet si të “Rusisë e Serbisë”, por si pjesë tepër të rëndësishme të shoqërisë.
Më pas, sipas tij, duhet të dalë hapur dhe t’i dënojë fushatat linçuese dhe të mos lejojë instrumentalizimin e përkrahësve të partisë në pushtet që t’iu vërsulen medieve.
“Po ashtu, Qeveria, Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera duhet të shtyjnë përpara idenë e edukimit medial, idenë që ta kuptojmë edhe më mirë median, median sociale dhe internetin. Gjetjet e fundit të Testit PISA janë se 15-vjeçarët te ne nuk dinë ta dallojnë faktin nga opinioni”, ka deklaruar tutje profesori.
Ismajli ka potencuar se këtu duhet të jetë pikënisja për edukimin medial, që njerëzit të kuptojnë, të dallojnë çka është fakt e çka është mendim, duhet të dinë se thirrjet për vrasje e dhunë nëpër rrjete sociale janë vepra penale të dënueshme me burg, duhet edukim se liria e shprehjes dhe e medias është e garantuar me ligj”.
“Ky edukim duhet të përfshijë gjithë sistemet e arsimit, marrë parasysh edhe faktin se Kosova ka qasje shumë të madhe në internet, ka përdorues të madh të mediave sociale. Me një fjalë, një edukim që internetin ta përdorim për edukim dhe për zhvillim të shoqërisë”, ka përfunduar Ismajli.
Ndryshe, këto rezultate u kritikuan nga opozita, ambasadorë e juristë të medias, të cilët i kanë cilësuar si alarmante që ka nevojë për një ndryshim.
Kosova shënon rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga Reporterët Pa Kufij