Është arrestuar gruaja e cila ditë më parë kishte raportuar në polici se ishte dhunuar seksualisht nga persona të maskuar, të cilët i kishin grabitur me forcë stolitë e arit dhe ia kishin rrahur djalin.
Kjo pasi po dyshohet se ajo e kishte lajmëruar rrejshëm ngjarjen që pretendoi se kishte ndodhur pas mesnatës më 25 maj.
“Prokuroria Themelore në Gjilan pas hetimeve intensive ka ndaluar të dyshuarën N.R., për shkak të veprës penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. E dyshuara e lartshënuar më datë 25 maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur te varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.
Gruaja që kishte raportuar dhunimin seksual tashmë po konsiderohet si një person i dyshuar për veprën penale të deklarimit apo lajmërimit të rremë.
E dyshuara është dërguar në ndalim 48-orësh dhe ndaj të njëjtës brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici. Me urdhër të prokurorit e dyshuara gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj të njëjtës brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale”, thuhet tutje në komunikatë.