Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, deklaroi të enjten se mbështetja për anëtarësimin e Malit të Zi në BE është e lartë, por kjo nuk do të thotë, siç tha ai, se nuk ka probleme.
Duke paraqitur një projekt-raport në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, zoti Sharec ndër të tjera përmendi si problem bllokimet e punës së parlamentit dhe mosfunksionimin e disa komunave locale në Malin e Zi.
Ai iu referua synimit të Podgoricës që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së deri në fund të kësaj dekade, por paralajmëroi se Mali i Zi ka ende shumë punë për të bërë.
Në këtë drejtim, ai përmendi dështimin për të hapur kapitullin 31 në negociatat e anëtarësimit. Ky është një kapitull që lidhet me politikën e jashtme, hapja e së cilës u pengua nga Kroacia.
“Duhet të theksoj se asnjë shtet anëtar nuk do të donte ta shihte këtë proces të anëtarësimit si një mënyrë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbyllur të gjithë kapitujt”, tha Marjan Sharec.
Duke reflektuar për vizitën e tij në Mal të Zi, ai konfirmoi në Parlamentin Evropian se të gjithë aktorët politikë kanë shprehur dëshirën e tyre që Mali i Zi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, “por ata kanë kuptime të ndryshme se si të arrihet kjo”.
Parlamenti Evropian njeh angazhimin e fortë të Malit të Zi për pranimin në BE dhe konfirmon mbështetjen e tij të plotë për anëtarësimin e ardhshëm të vendit në BE. Projekt-raporti mirëpret përparimin pozitiv të Malit të Zi në zbatimin e reformave dhe masave të lidhura me BE-në, mbështet kornizën kohore ambicioze dhe përpjekjet kolektive të aktorëve politikë, shoqërisë civile dhe qytetarëve, por gjithashtu lavdëron Malin e Zi për përmbushjen e standardeve të përkohshme për kapitujt 23 dhe 24 dhe për marrjen e një IBAR pozitiv.
Ky dokument u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në vend që të mbeten të fokusuar në integrimin në BE dhe reformat e nevojshme, duke theksuar nevojën për stabilitet politik, përkushtim dhe angazhim konstruktiv që kapërcen linjat partiake për të ecur drejt mbylljes së kapitujve shtesë. Gjithashtu nënvizohet se reformat e miratuara duhet të zbatohen në mënyrë efektive për të siguruar progres real.
Projekt-raporti i Parlamentit Evropian mirëpret përafrimin e vazhdueshëm dhe të plotë të Malit të Zi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese kundër Rusisë. Vendi inkurajohet të forcojë zbatimin e masave kufizuese dhe të shmangë anashkalimin e tyre.
Dokumenti vë theks të veçantë në “ndërhyrjen e huaj me qëllim të keq” dhe përpjekjet destabilizuese, kërcënimet hibride dhe fushatat e dezinformimit nga aktorët e vendeve të treta.
Në seksionin mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës, drafti vëren me shqetësim bojkotet dhe bllokadat politike, si dhe ringjalljen e tensioneve dhe polarizimin etnik.
Me këtë raport, Parlamenti Evropian do t’i bëjë thirrje Malit të Zi që të harmonizojë plotësisht politikën e vizave me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me vendet që paraqesin rrezik për sigurinë.
Në projekt-raportin e tij, Parlamenti Evropian mirëpret ligjet e reja të Malit të Zi për median dhe strategjinë e politikës së tij mediatike, këmbëngul në një politikë të tolerancës zero në lidhje me presionin ose ngacmimin e gazetarëve, përfshirë figurat publike, dhe thekson nevojën për monitorim efektiv të rasteve të mëparshme të sulmeve ndaj gazetarëve.