Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se marrëveshja e dakorduar në parim mes Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt në Bruksel. është e mirë.
Mirëpo, ai tha se e njëjta duhet të nënshkruhet, dhe në bazë të këtyre rrethanave mund të përcaktohet edhe pjesëmarrja apo jo e Listës Serbe në zgjedhjet në veri në muajin prill.
“Marrëveshja është e mirë. Në veçanti të mos hymë në detaje tjera, por kur thuhet se dy anët do të përpiqen të mos veprojnë në mënyrë radikale, ekstreme apo çfarëdo qoftë, por vetëm kjo të rregullohet me negociata. Mendoj se në përgjithësi populli i Kosovës do të përfitojë vetëm prej pikës së marrëveshjes dhe duhet të shpresojmë se të mos krijohet ndonjë mundësi për konflikt”, tha ai.
Në konferencë për medie të premten, Rashiq foli edhe për nenin shtatë të ujdisë së propozuar nga Bashkimi Evropian, por tha se deri tani nuk e di se si do të determinohet termi “vetëqeverisje”, të komunitetit serb në Kosovë.
“Marrëveshja thotë se kryeministri apo Qeveria duhet të ketë dyert të hapura, sa i përket përfaqësueseve të vetëqeverisjeve të thënë ashtu. Edhe pse vetëqeverisje deri në këtë moment nuk dihet se çka mund të prezantohet, të gjithë mund të supozojmë se çka është, por derisa nuk ka një propozim konkret nuk ka nevojë. Jemi ardhur deri në këtë moment që spekulimet dalin në rrugën e gabuar, kështu që unë deri sa nuk e shoh dhe nuk jam pjesë e takimeve, në të cilët, po diskutohet kjo çështje, nuk do të isha ngutur se nuk ka nevojë”, shtoi Rashiq.
I pyetur për pjesëmarrjen ose jo të Listës Serbe në zgjedhjet në veri, Rashiq tha se nëse nuk nënshkruhet marrëveshja, nuk beson se Lista Serbe do të jetë pjesë e zgjedhjeve në prill.
“Afati për paraqitje të kandidatëve të ri në proces është hapur, nuk e di se kur është ai afat. Nëse nuk bëhet ndonjë konfirmim i marrëveshjes, pasi kemi pasur rastin vetëm konfirmim verbal, nuk besoj se Lista Serbe do të marrë pjesë, pasi sikur e dimë, ata nuk janë një subjekt politik i pavarur. Ata janë vetëm pajisje në duar të regjimit të Beogradit, pasi dihet se kush e udhëheq Serbinë në këtë moment. Nëse bëhet nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje, atëherë kjo do të jetë e mundshme që Lista Serbe të marrë pjesë”, deklaroi ai.
Mirëpo, ai tha se kjo teorikisht nuk e pengon legalitetin e zgjedhjeve në veri, pasi çdo kandidat edhe me një votë e fiton të drejtën të jetë në krye të institucioneve.
Ai bëri thirrje komunitetit serb që të dalin masovikisht në zgjedhjet në muajin e ardhshëm në veri, derisa nënvizoi se gabimi më i madh i BE-së ka qenë që nuk e ka fuqizuar pluralizmin politik në komunitetin serb në Kosovë.
“Legjitimiteti nuk e pengon legalitetin, teorikisht nuk ka ndodhur deri tash. Me një votë, kryetari që fiton e ka legalitet. Përndryshe, unë e konsideroj se do të ishte e keqe të ndodhë një gjë e tillë, që të mos kandidojnë në zgjedhje, qoftë Lista Serbe apo të tjerët. Unë do të kisha preferuar që të bëhet thirrje për një dalje masovike pa presion.
E di se kjo nuk është e mundshme për regjimin në Beograd, por nëse flasim për pluralizmin, ndoshta ndonjë akt simbolik mund të bëjë në atë drejtim. Nuk pres që kjo në të vërtetë të ndodhë, por unë gjithmonë kam thënë se është gabimi më i madh edhe i Brukselit që nuk e ka fuqizuar pluralizmin në komunitetin serb në Kosovë dhe kjo tash po reflekton. Dhjetë vite pas, po e shohim se kjo është gabim fatal”, theksoi ai.
Këto komente, Rashiq i bëri pasi lansoi databazën e re për procesin e aplikimit të subvencioneve që bën Ministria për Komunitete dhe Kthim.
“Po implementojmë një sistem shtesë. Është një databazë e re që për herë të parë po implementohet në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, prej aktivizimit të databazës do t’i kemi të dhënat për të gjithë ata që janë qoftë pjesë e aplikacioneve, apo procesit të kthimit apo çfarëdo qoftë informacion tjetër apo strukturë tjetër kur aplikohet te ne”, tha ai.
Pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave të katër komunat në veri, zgjedhjet ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo pas tensioneve të krijuara atje, presidentja Vjosa Osmani vendosi që t’i shtynte zgjedhjet për në fund të muajit prill të këtij viti. /kp/