Një pacienteje i janë larguar 10 kilogramë tumor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Pacientja 39-vjeçare ishte diagnostikuar me tumor të vezoreve për pothuajse më shumë se një vit, mirëpo sipas lajmërimit, asnjë institucion shëndetësor, publik dhe privat, nuk kishte pranuar të realizonte operacionin.
“Duke parë gjendjen e pacientës që tumori i shkaktonte probleme të tjera shëndetësore si tromboza në pjesën e ekstremiteteve të poshtme, probleme në organet e tretjes, presion në mushkëri, duke i shkaktuar probleme me frymarrje dhe probleme me organe të tjera në pjesën abdominale, në konsultim me familjarët e pacientës, mjeku që trajtoi rastin Dr.Rifat Dreshaj, pas konsultimeve edhe me mjekët e tjerë vendosën që të bëjnë përpjekjen e fundit për këtë paciente që ishte intervenimi kirugjik”, thuhet në postim.
Ekipi i Mjekëve Specialistë, Rifat Dreshaj kirurg, Ramadan Daci gjinekolog Obstetër, Gëzim Devolli kirurg dhe Besim Kastrati Anasteziolog, së bashku me ekipin e teknikëve të anastezionit dhe instrumentarëve kanë kryer me sukses operimin duke larguar në tërësi tumorin dhe njëherësh, kanë bërë rekonstruksionin e zorrëve.
“Operacioni është kryer më datë 19.07.2022 dhe pacientja është ende në kurim në Repartin e Kirurgjisë dhe gjendja e saj është e mirë”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.
Bëhet e ditur se gjendja e pacientes është stabile dhe se kjo e fundit, është akoma në trajtim.