Kyreinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi, është liruar nga masa e paraburgimit, pas arrestimit të tij në janar të vitit 2022 në rastin “Brezovica”.
Sipas avokatit të tij, Haxhi Millaku, masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e kufizimit të lëvizjes, e paraparë për 60 ditë.
“Sot ai është në liri, përkatësisht në zëvendësim të masës prej paraburgimit në masën e kufizimit të lirisë, në kuptimin që të mos iu afrohet punës dhe vendeve të caktuara. Kjo masë do t’i vazhdohet për 60 ditë”, është shprehur ai për Kosovapress.
Gjykata Themelore në Ferizaj, më shtatë janar të vitit 2022, kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre të dyshuarit e arrestuar për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin “Brezovica”.
Gjykata në arsyetimin e vendimit të marrë thotë se “B.H. është i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së”.
Ndryshe lidhur me rastin, Policia e Kosovës kishte zhvilluar tri aksione.
Pas përfundimit të aksionit “Brezovica 3”, në bastisjen e shtatë lokacioneve të ndryshme në komunën e Shtërpcës më 16 mars të vitit 2022, janë arrestuar dy persona.
Kështu kishte bërë të ditur Prokuroria Themelore e Ferizajt, teksa theksohet se një doganier dhe kryetari i Bordit të “Ski Center Brezovica”, janë në ndalim policor prej 48 orësh si të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, kanë realizuar aksionin ‘Brezovica’, ku janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar”, thuhej në njoftim.
Kush ishin të arrestuarit e tjerë?
Një aksion tjetër ishte zhvilluar edhe të enjten e tre marsit, nët të cilin ishin arrestuar shtatë persona. Kjo, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.
Kështu, kishte njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj me anë të një komunikate për media, në të cilën thuhej se, ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete si, Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.
“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhej në komunikatë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, aksionin “Brezovica”, e kishte nisur më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona.
Lidhur me rastin deri më tani janë arrestuar 30 persona, duke përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në këtë komunë.
Lidhur me këto arrestime kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Kosovës, ku në krye të saj ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.
Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.
Përveç Nikoliq, janë arrestuar edhe zyrtarë tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore.