Një burim i RTV Dukagjinit brenda Ministrisë së Drejtësisë ka bërë të ditur, se gjatë ditës së hënë pritet të shkarkohet kryeinspektori i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, për çështjen e rastit të Astrit Deharit.
Gjithashtu, ministria ditën e hënë ka publikuar vendim me të cilin shkarkohet Topalli.
“Pas një sërë gjetjesh faktike që dëshmojnë shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Siç ka potencuar ministria, sipas Komisionit Disiplinor, Topalli ka bërë një sërë shkeljesh ligjore.
Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit.
“Komisioni konstaton se z. Topalli, ka marr nga ish ushtruesi i detyrës se drejtorit te Qendrës se Paraburgimit ne Prizren, kopje te video incizimeve dhe i ka sjell ne zyren e tij ne objektin Ish Rilindja ne Prishtine, gjë qe e pranon edhe vet z. Topalli se keto video incizime jane sjell me USB per te përpiluar raportin përfundimtar. Keto incizime i ka marr me date: 07/11/2016 sipas formës se informatës te dates 11.11.2016 me nr.136/16 e leshuar nga Qendra e Paraburgimit Prizren- SHKK ne baze te cilës informon per marrjen e incizimeve te kamerave sipas renditjes se kujt i jane dhëne ato xhirime me datën 06/07/08/09/-11- 2016 ku ne ate informate tregohet se z. Topalli i ka marr incizimet para policise dhe ne kundershtim me Ligjin nr. 03/L-172 per Mbrojtjen e te Dhënave Personale, pa parashtruar kërkese dhe pa aprovim nga organi kompetent”, shkruhet në vendim.
Po ashtu, i njëjti ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin:
“Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje.
Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”, thuhet në njoftim.