Rasti i foshnjës në Pejë: Drejtori i shkarkuar akuzon për ndërhyrje politike

Pas rastit me foshnjën e vdekur që u fut në rrobalarëse, të shtunën u shkarkua nga pozita e drejtorit mjekësor të Spitalit të Pejës, Muhamet Haliti, i cili ka reaguar duke thënë se ai nuk është përgjegjës për rastin, dhe se shkarkimi sipas tij, ka ndërhyrje politike nga VV-ja

Spitali i Pejës, foto ilustrim

Muhamet Haliti, që të shtunën u shkarkua nga pozita e drejtorit mjekësor të Spitalit të Pejës pas rastit të rëndë me foshnjën e vdekur që u fut në rrobalarëse, ka thënë se ai s’është përgjegjës për rastin, ndërsa e ka lidhur shkarkimin me ndërhyrje politike.

Ai ka akuzuar drejtorin ekzekutiv të spitalit, Fazli Shala, se e ka bërë “kurban”, që t’i shpëtojë “militantët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje”.

Po ashtu, ai ka thënë se për vendimin e tij, Shala ka qenë nën ndikim të VV-së, drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha.

Në një reagim në Facebook të shtunën, Haliti ka thënë se është befasuar se si vendimi për largim të tij u mor në fundjavë, duke shtuar se vendime të tilla s’mund të merren në këto ditë, “meqë zyra e protokollit dhe vulës është e mbyllur e njoftimi për shkarkim pa vendim zyrtar konsideroj se është shkelje ligjore”.

Ai ka mohuar se ka përgjegjësi si drejtor mjekësor për rastin.

“Deri sa drejtori mjekësor është përgjegjës i punës së mjekëve, e në rastin në fjalë personeli mjekësor nuk e neglizhoi rastin duke e përfunduar kujdestarinë atë natë me përgjegjësi të plotë. Pacientja e pranuar është ekzaminuar, ajo dhe familja janë njoftuar për frytin e vdekur, pacientja është operuar me kohë, terapinë e ka marrë me kohë, gjithçka lidhur me rastin është dokumentuar dhe pacientja e pajisur me fletëlëshim është liruar në gjendje të rregullt”, ka shkruar ai, në rrjetin social Facebook.

“Po ashtu foshnja e vdekur gjatë intervenimit kirurgjik i është dorëzuar mamisë që e njëjta të vazhdonte me procedura tjera. Theksoj prapë se ky rast nuk është përgjegjësi e punës se mjekut”, ka shkruar tutje Halitaj duke thënë se përgjegjës janë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Administratës, Selman Kelmendit, shefi i shërbimit teknik Ardian Shalës dhe mbikëqyrësi i higjienës, Hysë Kastrati.

Ndaj tyre, sipas Halitit, “drejtori ekzekutiv nuk ka ndërmarrë kurrfarë masa për shkak të bindjes politike dhe farefisit që ka me përgjegjësit kryesorë”.

Ndërkaq, ai ka paralajmëruar ankesë ligjore ndaj vendimit për shkarkim.

Kujtojmë se, një foshnjë, e cila lindi e vdekur, disa ditë më parë, përfundoi në rrobalarësen e Spitalit të Pejës, pasi stafi dyshohet se nuk i ka zbatuar procedurat e protokollit.

Babai i foshnjës ka treguar se e ka parë personelin mjekësor teksa i nxirrnin nga rrobalarësja pjesët e trupit të saj. Ai ka thënë se stafi i spitalit ka kërkuar që rasti të mos lajmërohet në polici.

Për këtë është hapur rast hetimi, ndërsa me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë nga puna është larguar edhe u.d. i kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj si dhe shefi dhe kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë. Po ashtu janë suspenduar edhe shtatë punonjës të spitalit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika