Privatizimi i 4 hidrocentraleve, i kishte sjellur në bankën e të akuzuarve gjashtë zyrtarë, katër prej të cilëve kishin mbajtur pozita ministrash.
Rasti ku akuzoheshin Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha e Arben Gjukaj, i njohur më vonë si afera e “Hidrocentraleve” përfundoi me humbje për Prokurorinë Speciale, të paktën në shkallën e parë.
Akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për çka i ngarkonte Prokuroria, sipas trupit gjykues, nuk u dëshmuan në seancat e mbajtura në këtë rast, për gjatë 1 viti gjykimi.
Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, ka thënë se arsyetimin për këtë vendim do e marrin në formën e shkruar.
Për ta dëgjuar vendimin, në sallë nuk kanë qenë ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, e Dardan Gashi, e as prokurori Atdhe Dema.
Por, Nenad Rashiq, ish-ministër, por edhe avokati i Besim Beqajt, Besnik Berisha, thanë se vendimi ishte i pritur.
“Nuk ishte e lehtë ta dëgjosh, por rezultati ishte i pritur. Është ditur se Prokuroria nuk ka rast dhe tash është dëshmuar se i tërë grupi ka punuar sipas ligjit dhe çdo gjë është bërë në përputhje me normat ,dhe kjo sot është dëshmuar. Sigurisht se pas kësaj do të parashtroj kundërakuzë dhe nuk mund të besoj se është rastësi që të ngritet akuzë kundër meje, kundër personit, që nuk ka qenë i pranishëm në takim, aq më shumë të ketë votuar apo nënshkrua diçka”, ka deklaruar Nenad Rashiq.
“Është për keqardhje që i jemi nënshtruar një procesi i cili fatkeqësisht ka qenë e ditur se nuk ka pasur keqpërdorim te pozitës zyrtare nuk ka pasur keqpërdorim me asetet e republikës së kosovës nuk ka pasur tjetërsim të kundërligjshëm dhe rrjedhimisht nuk ka pasur nevojë për gjykim, gjithsesi ajo cka është dëshmuar sot e konfirmon atë se çfarë e kemi paralajmëruar që nga fillimi”, ka thënë avokati Besnik Berisha.
Shqyrtimi kryesor në këtë rast kishte filluar në korrik të vitit të kaluar, derisa pas ankesave për hudhje të aktakuzës, Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar atë. Në fjalët përfundimtare, të gjithë të akuzuarit, kishin kritikuar prokurorin se kishte ngritur aktakuzë, pa bazë ligjore dhe me qëllim që ti dëmtojë ata.
Bazuar në aktakuzë, ish-ministrat e akuzuar në maj të vitit 2013, kishin votuar që hidrocentrali i Lumbardhit, ai në Burim, Radvacit dhe në Dikancë, t’i transferoheshin Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji, dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.