Pas qarkullimi të një video-incizimi, ku shihet derisa keqtrajtohet mizorisht një grua e moshuar në nj qendër për të moshuar në Pejë, policia dhe prokuroria e kanë filluar punën menjëherë për t’u marrë me rastin.
Fillimisht, u arrestuar vajza e cila shihej duke përdorur dhunë fizike ndaj gruas, si dhe si dhe përgjegjësja kryesore e shtëpisë së pleqve në Pejë si e dyshuar për mosraportim të rastit. Pos këtyre dy personave, është ndaluar edhe personi i tretë për incizim të paautorizuar.
Policia e Kosovës, është autorizuar që ta intervistojë të gjithë personelin e Qendrës për të Moshuar ku ka ndodhur rasti dhe po ashtu të gjithë pacientët e kësaj qendre.
Qendra në fjalë, ka njoftuar se për këtë rast janë suspenduar katër infermierët që punonin aty e që ishin pjesë apo dëshmitarë të dhunës që ushtrohej ndaj gruas së moshuar.
Në videon që po qarkullon në rrjete sociale shihet se si një nga punonjëset e sulmon një grua të moshuar duke e goditur me shuplaka dhe shqelma.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë se janë duke e verifikuar rastin dhe duke u marrë me të.
Vajza e së moshuarës, e cila është keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”, është shprehur e tronditur për rastin.
Në një linjë direkte me RTV Dukagjini, vajza e së moshuarës është shprehur e tmerruar dhe në një gjendje jo të mirë emocionale.
Telefonin e saj e ka kapur pas pak çasteve bashkëshorti, i cili ka thënë se me të marrë informatën ka lajmëruar policinë në rajonin e Gjakovës.
“E kam lajmëruar policinë e Gjakovës, siç duket e kanë arrestuar, të shohim tash kush është ajo, pse është përdorur ajo dhunë”, ka thënë dhëndri i së moshuarës.