Rasti i tmerrshëm në Pejë – Prokuroria të enjten paraqet kërkesë për paraburgim ndaj tri infermiereve

Të enjten e tre nëntorit, Prokuroria Themelore në Pejë do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tri infermiereve për sulmin ndaj së moshuarës në Qendrën e të moshuarve në Pejë, “Orenda”

Ilustrim





Pas publikimit të videoincizimit në rrjetet sociale të sulmit në shtëpinë e të moshuarve, Prokuroria Themelore në Pejë, të enjten e tre nëntorit pritet të parashtrojë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj tri infermiereve që dyshohen për sulm fizik ndaj së moshuarës.

Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi.

“Prokuroria e shtetit ka ndaluar tre persona, të njëjtit janë në ndalim dhe janë duke u zhvilluar hetimet në drejtim të veprave penale për çka edhe janë kualifikuar që kanë kryer në rastin e së moshuarës dhe tre persona janë në ndalim 48-orësh. Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë do të paraqesë kërkesë gjatë ditës për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikqi.

Po ashtu, Nikqi ka mohuar se është liruar infermierja e cila ka xhiruar sulmin ndaj së moshuarës.

“Mos i merrni si kredibile disa webfaqe të cilat operojnë në rrjete sociale”, ka thënë ai.

Në lidhje me këtë rast, gjatë ditës, janë arrestuar tre persona, përfshirë edhe infermieren e cila shihet në video teksa ushtron dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së moshuar.

Pas publikimit të këtyre pamjeve, familjarët e së moshuarës kanë shkuar në vendin ku qëndronte viktima dhe e kanë tërhequr atë nga ajo qendër.

Ndërkaq, familjarët e së moshuarës kanë thënë se kanë vërejtur shenja dhune në fytyrën e saj, por që nuk kanë dyshuar se ato mund të kenë qenë të shkaktuara nga punëtorët e qendrës, të cilët e kishin për obligim të kujdeseshin për të.

Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta nga liderë shtetërorë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar disa orë para pamjeve që tregonin një grua teksa goditej nga një infermiere në një qendër për të moshuar.

Kurti i ka cilësuar si të tmerrshme pamjet e publikuara në media. Ai ka thënë se me të marrë vesh lajmin, institucionet janë aktivizuar dhe kanë vepruar.

“Ajo që pamë sot ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s’është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuarën, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar”, ka shkruar ai.

Presidenca e Republikës së Kosovës ka thënë se akti i së mërkurës ndaj së moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, akt të cilin Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm.

Përmes një deklarate, Zyra e Presidentes ka ftuar organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet.

“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T’i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë. Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit”, ka shkruar Presidenca.

Po ashtu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas keqtrajtimit ndaj së moshuarës nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka thënë se këto veprime janë të papranueshme.

Po ashtu, ai i ka quajtur të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që cilësohen se ofrojnë përkujdesje të veçantë.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka bërë thirrje që të sillen para drejtësisë të gjithë personat të përfshirë në këtë rast.

“Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë”, vijon shkrimi.

 





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika