Gjatë orëve të vona të së hënës së 18 shtatorit, në rrjetin social Facebook është publikuar një video ku shihet keqtrajtimi i një fëmijë trevjeçar nga edukatoret e kopshtit “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë.
Fatos Geci, i cili është daja i trevjeçarit, ka publikuar po ashtu edhe disa fotografi ku vërehen lëndime trupore te fëmija. E sipas Gecit, “fëmija tërhiqet zvarrë, me pas e dërgojnë në një dhomë pa kamera dhe e rrahin pa mëshirë të tri mësueset e kësaj k***e!”.
Pas këtyre informacioneve, Policia e Kosovës, pastaj edhe inspektorët e Inspektoratit të Arsimit dhe ata nga Qendra për Punë Sociale kanë shkuar në kopshtin “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë për të marrë informata dhe inspektuar vendin.
Ndërsa, Policia e Kosovës pas marrjes në pyetje ka arrestuar dy persona në lidhje me këtë rast.
Pas intervistimit, një grua 64 vjeçe dhe një tjetër 56 vjeçe janë arrestuar nën dyshimet se e kanë keqtrajtuar fizikisht fëmijën 3-vjeçar.
Sipas policisë, të dyshuarave u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave; N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase Republikës së Kosovës, shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se do të marrin masa ndaj edukatoreve, të cilat dyshohen se janë përfshirë në rrahjen e 3-vjeçarit.
“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor”, ka shkruar ajo.
“Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar”, ka shtuar Nagavci.
Më tej, ministrja ka ngritur dyshime se ky rast mund të jetë fenomen dhe jo rast i izoluar.
“Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Nagavci ka treguar se Inspektorati i Arsimit ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme”, ka theksuar ajo.
Po ashtu, në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se kjo nuk do të tolerohet.
Në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka thënë që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale.
“Dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3 vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet. Përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes. QPS-të bashkë me shkollat dhe kopshtet, dhe jo vetëm, janë institucionet të cilat mund të parandalojnë rastet e tilla”, shkroi ajo.
Haxhiu ka theksuar se Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat – përmes Departamentit të Politikave të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për interesin më të mirë të fëmijës dhe të familjes.
Ndërsa për TV Dukagjini ka folur avokati i familjes, Nasuf Hasani, i cili ka deklaruar se pret që organet e drejtësisë të veprojnë sipas procedurave.
Ai ka thënë se “fëmija ka pësuar trauma goxha të mëdha” dhe që, sipas tij, “fëmija nuk është në gjendje të dërgohet në kopshte këtu në Fushë-Kosovë”.
Mirëpo, sipas tij, janë edhe familjarët ata të cilët janë në gjendje të rëndë dhe që nuk kanë pranuar të flasin para medieve, por kanë autorizuar avokatin e tyre që të japë shpjegime rreth ngjarjes që u ka ndodhur.
Por, akuzat ndaj klientes së tij i ka hedhur poshtë avokati i njërës prej edukatoreve të çerdhes “Gëzimi Ynë”.
Avokati i edukatores Naime Musa, ka thënë se rasti nuk është siç shihet në incizime dhe, sipas tij, është hiperbolizuar fillimisht nga mediet e më pas nga familjarët.
Zogiani, teksa mohoi akuzat për keqtrajtim, shtoi se qëllimi i edukatores ishte mbrojtja e fëmijës.
“Unë jam avokat i Naime Musa, intervistimi ka zgjat 40 minuta, kjo çështje është duke u zmadhuar së tepërmi, së pari nga mediat e më pastaj nga prindërit”, ka potencuar Zogiani.
Reagim për këtë rast ka pasur edhe nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, që ka shprehur shqetësim për pamjet filmike të publikuara lidhur me qasjen e edukatoreve dhe trajtimin e 3-vjeçarit.
“Momentet e të ushqyerit, të pushimit, të gjumit apo të aktiviteteve dhe lojërave të tjera, janë të natyrës edukative dhe rekreative”.
“Prandaj, çdo qasje e papërshtatshme, e vrazhdë apo e dhunshme e përdorur nga edukatoret, për të detyruar fëmijën që t’i realizojë ato përmes presionit, tërheqjes, zvarritjes, dhunës verbale apo fizike, përbën një shkelje të rëndë e cila dëmton të gjitha sferat e zhvillimit të fëmijës”, ka shkruar KOMF në rrjetin social në Facebook.
KOMF ka bërë thirrje që të intensifikohet monitorimi dhe inspektimi sistematik i kopshteve përmes inspektorëve dhe konsultimeve me prindërit në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla.
Nga ana tjetër, ai i cili e kishte bërë publik ngjarjen, Fatos Geci, disa orë pas publikimit të videos ka njoftuar se ajo i është fshirë nga rrjeti social Facebook.
Ai ka bërë të ditur se do ta denoncojë rastin edhe në polici.