Pas arrestimit të drejtorit të VisaMetric-ut, qytetari Gent Shala ka thënë se nuk e kishte të qartë se ku duhet të dërgojë ankesën lidhur me këtë çështje.
“Nuk e kam pasë të qartë se ku të ankohem, unë jam ankuar për refuzim të vizës tek ambasada që është çështje tjetër”, ka thënë Shala në “Debat Plus”.
“Unë nuk e kam një informatë të qartë se ku duhet ankesa ime të shkoj”, ka thënë tutje Shala.
Gjatë kësaj të marteje, drejtori i “Visametric” është ndaluar për 48 orë, për shkak të moszbatimit të vendimit gjyqësor, ku i ndalohej të kërkonte 30 euro shtesë nga qytetarët për shërbimet e pasaportës.
Prokuroria Themelore e Prishtinës bëri të ditur se ndalimi i tij është bërë pas marrjes së deklaratës.
”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.