Ambasadorët e shteteve të QUINT-it në një reagim të përbashkët kanë ripërsëritur deklaratën e tyre e cila dënon vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
Në këtë deklaratë, ambasadorët kanë thënë se QUINT-i dhe Bashkimi Evropian presin që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë asnjë masë të re për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe BE-në. Quinti dhe BE-ja theksojnë se Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në BE”, thuhët në deklaratën e përbashkët.
Në këtë deklaratë bëhet thirrje që palët të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars të këtij viti, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme të Dialogut.
Ndërkaq, kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarët e komuniteteve të tyre.
“Në të njëjtën kohë, ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt duke përfshirë lirinë e lëvizjes, dhe që mund të nxisin tensionet ose të nxisin konfliktin. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-i”, vijon komunikata.
Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës e cila asistoi kryetarët e rinj që të hynin në ndërtesat komunale.
Më 25 maj, kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale, për shkaqe sigurie. Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, paraprakisht ishte betuar në ndërtesën e komunës, pasi kjo komunë është e vetmja në veri që ka ndërtesa të ndara komunale të institucioneve që punojnë sipas sistemit të Kosovës dhe atyre paralele, që punojnë sipas sistemit të Serbisë.
Bashkësia ndërkombëtare dënoi veprimet e Prishtinës dhe i cilësoi si “hyrje me forcë” shkuarjen e kryetarëve të rinj në zyrat e tyre nëpër komuna.
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.