Reagon KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit: Kryeministri po jep informata të pasakta

Kryeministri Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Haxhiu kanë kritikuar sistemin gjyqësor duke thënë se mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit e kanë cilësuar këtë informacion të dhënë nga ana e Kurtit sikurse pjesë e agjendës së tij politike dhe njëherësh, nevojë të bashkëveprimit me sistemin prokurorial

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit kanë shprehur shqetësimin e tyre pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat sipas KPK-së, po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e tij.

Të dielën, gjersa ka njoftuar dorëzimin e dosjes së dokumentave për Vetting-un në Kuvend krahas Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Kryeministri Kurti ka kritikuar sistemin gjyqësor duke thënë se, sipas të dhënave për vepra penale të dhunës seksuale, mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.

Njëherësh, Ministrja Haxhiu ka thënë se jo më kot ka kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë që ishte në krye të çështjes përgjatë zhdukjes së 11-vjeçares në qershor. Sipas saj, arrestimi i gjashtë të dyshuarve për zhdukjen e 11-vjeçares përgjatë muajit qershor do të ndodhte shumë më herët nëse prokuroria do të punonte në kohë.

Deklaratat e Kurtit dhe të Haxhiut kanë nxitur reagimin e KPK-së dhe Prokurorit të shtetit, të cilët kanë thënë se, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër raste që kanë pasur të bëjnë me dhunën seksuale.

“Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale. Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial”, kanë thënë nga KPK.

Ndër të tjera, KPK dhe Prokurori i Shtetit e kanë konsideruar deklarimin e pasaktë të Kurtit sikurse nevojë të bashkëveprimit me sistemin prokurorial e njëherësh, edhe nevojën për respektimin e  normave dhe standardeteve të funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës.

Më herët të dielën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, krahas Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se dosja e dokumenteve të procesit të Vetting-ut do t’i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas konferencës së tyre.

Në konferencë për media, Kryeministri Kurti ka thënë se nuk ka alternativë tjetër përpos Vetting-ut në drejtësi dhe se të njëjtën, po e vendos në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika