Ministri, Faton Peci ka reaguar ndaj një videoje ku shihet një vajzë e komunitet joshumicë të largohet më dhunë nga lokali në prani të tij.
Peci tha se distancohet nga secili akt që përcjell dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti.
Peci tha se në mungesë të skandaleve në institucionin që ai udhëheq, ka nga ata që e ndjekin ditë e natë duke e xhiruar për të gjetur apo për të shpikur ndonjë moment që kryen “veprime skandaloze”.
“Së pari, distancohem nga secili akt që përcjell dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti. Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej “veprime skandaloze”. I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm te bashkëbiseduesi e jo tek i gjithë lokali”, ka shkruar Peci.
Peci tha se nuk është përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore “e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht”.
“Siç rëndom ndodh, së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa “Rugovista” të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz. 62 milionë euro këtë vit nuk shkuan në xhepat e atyre që blinin xhipa të zinj, por te bujqit e vërtetë të Kosovës e kjo siç shihet po u pengon disave ashtu siç po u pengojnë 26 milionë euro të projekteve të granteve që nuk shkuan te shokët e tyre apo edhe denoncimi i keqpërdorimeve të shumta me pronat e Ministrisë së Bujqësisë”, ka shtuar Peci.
Ai tha se përkrahja për “komunitetet joshumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë, ndërsa dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t’i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë”.
“Është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkim-lëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura. Modeli i politikanëve dhe “biznesmenëve” orientalë e lindorë sikur duan që t’i shohin ministrat duke ndarë publikisht lëmoshë. E nëse përveç edukatës familjare ka diçka që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është modeli i politikëbërjes së Behxhet Pacollit përmes kinse fondacionit të tij. Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë. Edhe në këtë rast, nëse mediat duan t’iu përngjajnë mediave profesionale do të duhej të kujdeseshin për mbulimin e fytyrës fëmijës që publikohet në video”, ka thënë ai.
Peci tha se kjo e shpërfaq para opinionit fytyrën e vërtetë të misionit të këtyre “mediave”. “Fytyrë të cilën ne që jemi pjesë e jetës publike ka kohë që e njohim”, ka përfunduar ai.