Roku është një nga zhanret më të pëlqyra të muzikës, ani pse në vendin tonë jo aq i përhapur sa zhanret tjera.
Katër të rinj pasionantë të muzikës rok, kanë formuar grupin që tani njihet si Redknots, ku tash e dy vite janë pjesë e mbrëmjeve muzikore.
Muzika e tyre u dëgjua sonte në Radio Dukagjini, pasi ishin të ftuar në emisionin Super Tren’D me Drilonën. Vokalisti i grupit Çlirimi Shabani dhe kitaristi Leutrimi Shabani folën për muzikën e tyre dhe planet për të ardhmen.
Ata bënë të ditur se deri më tani kanë bërë muzikë në Prishtinë e Ferizaj, por tani janë duke punuar që performacat e tyre muzikore ti realizojnë edhe në vende të tjera të Kosovës, por duke mos lë anash edhe Shqipërinë.
Kitaristi i grupit deklaroi se audienca e tyre është kryesisht rinia.
“Muzika rok është dëgju shumë përpara, ne jemi influencu shumë nga bendet e vjetra, po edhe sot nuk është që nuk ka audiencë të re. Ne kemi një audiencë jashtëzakonisht të re, 18, 20 deri 22, dhe nuk janë pak”, ka thënë Shabani.
Grupi ka deklaruar se janë pjesë e një komuniteti të bendeve të muzikës rok që i ndihmojnë njëri tjetrit, duke rritur kreativitetin e njëri tjetrit duke qenë se janë grupe të reja në skenën e muzikës.
Sipas tyre muzika rok mund të jetë profitabile për artistët nëse mund t’ia kushtosh 100% të kohës asaj, të merresh vetëm me të dhe padyshim të jesh edhe i mirë në punën që bën.
Deri më tani Redknots ka 5 këngë të publikuara. Grupi ka bërë të ditur se ka edhe 13 këngë të punuara por që ende nuk janë incizuar.
Kënga e tyre e fundit e cila është publikuar në të gjitha platformat, quhet “Mr. Man”.