“Refuzimi i Vuçiqit për t’u takuar me Kurtin, vonon shtensionimin e situatës në veri”

Mungesën e takimit trepalësh në Bruksel, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e shohin si "vonesë" për deeskalimin e situatës në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i dërguari special nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Takimi i 22 qershorit në Bruksel në mes të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte takim urgjent për menaxhimin e krizave, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Kërkesat që Borrell u ka parashtruar liderëve kanë të bëjnë me tërheqjen e menjëhershme të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë.

Kërkesa tjetër e kryediplomatit evropian ka të bëjë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në to.

Në lidhje me mungesën e takimit trepalësh këtë herë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se BE-ja është dashur të insistojë më shumë që të ketë takim në mes të dy liderëve.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Arifi ka theksuar se është dobësi e ndërmjetësuesit që nuk është realizuar një takim i tillë, sepse ndoshta do të prodhonte rezultate më të mira.

“Është dashur që të ketë takim trepalësh në Bruksel, BE-ja nuk ka insistuar shumë në këtë pikë. Është dobësi e facilituesit që nuk ka insistuar të kemi një takim trepalësh, ai me siguri mund të prodhonte ndoshta edhe rezultate më të mira. Sidoqoftë ajo që është bërë është bërë, dhe qeveria e Kosovës ka qenë e gatshme edhe për takim trepalësh, por fascilituesi nuk ka mundur ta detyrojë palën tjetër të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Ndonëse kërkesa e BE-së ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në veri, Arifi ka thënë se ende ka pikëpyetje se si do të arrihet deri te gjetja e një forme për organizimin e tyre, përmes peticionit apo dorëheqjes së kryetarëve aktualë.

“Ende nuk ka një dakordim të qartë se si do të mbahen zgjedhjet, sepse është kërkuar sipas BE-së që të largohet njësia speciale, në të njëjtën kohë të largohen ekstremistët, kryetarët e komunave të ushtrojnë detyrën në objekte alternative dhe të caktohet data e zgjedhjeve, por me kushtin që pala serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Ende kemi pikëpyetje, pala e Kosovës ka kërkuar një modalitet përmes peticionit apo tërheqjes së kryetarëve, ende nuk është sqaruar se si do të arrihet te zgjidhja”, ka vijuar Arifi.

Arifi ka theksuar tutje se pa lirimin e tre policëve të kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, vështirë se mund të ketë shtensionim të situatës në veri, teksa ka shtuar se “derisa të ketë lirim të policëve, nuk shoh hapësirë për dialog e shtensionim”.

Për të, integrimi i veriut mund të ndodhë vetëm me një marrëveshje finale përfundimtare, ku Kosova e Serbia gjejnë gjuhë të përbashkët për të gjitha çështjet që kanë mbetur hapur.

“Integrimi i veriut për momentin, për momentin mund të kemi zgjidhje të përkohshme dhe të improvizuara, prandaj integrimi i veriut mund të ndodhë vetëm me një marrëveshje finale përfundimtare, ku Kosova e Serbia gjejnë një gjuhë të përbashkët për të gjitha çështjet që kanë mbetur hapur. Vetëm në këtë sens e shoh qetësimin e situatës në plotni dhe integrimin e veriut në të gjitha institucionet e Kosovës dhe në të gjithë mekanizmat që ekzistojnë në Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Arifi.

Ndërsa, profesori Seb Bytyçi nuk e ka konsideruar shumë problematike mungesën e takimit trepalësh.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Bytyçi ka thënë se mungesa e takimit sy më sy nuk është aq problematike, dhe për këtë ai e ka drejtuar gishtin nga Vuçiqi.

“Mungesa e takimit sy më sy nuk është aq problematike. Ka ndodhur si pjesë e narrativës viktimizuese të Vuçiqit. Por ka nevojë për diplomaci nga distanca për t’i tejkaluar dallimet”, ka thënë Bytyçi.

Ndërsa, në lidhje me zgjedhjet në veri, ai ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen dhe të inicohen përmes peticionit, por që duhet monitorim i mirëfilltë i fushatës dhe të parandalohet intimidimi i kundërshtarëve të Listës Serbe.

Njësoj si Arifi, edhe Bytyçi ka theksuar se lirimi i policëve të Kosovës do të jetë parakusht për deeskalimin e situatës në veri.

Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji.

Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe thellë brenda territorit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika