Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni për shpërbërjen e Kuvendit Komunal. Kjo kërkesë e Hysenit është njoftuar me 2 tetor dhe arsyeja kryesore për shpërbërje ka qenëmospërmbushja e detyrave dhe obligimeve nga Kuvendi Komunal, respektivisht për mosvotimin e buxhetit sipas afateve ligjore.
Për refuzimin e kësaj kërkese ka njoftuar asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] në Gjilan, Gentrit Murseli i cili i bëri apel kryetarit, Hysen për bashkëpunim me partitë opozitare për dalje nga kjo situatë.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) zyrtarisht ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Gjilanit për shpërbërjen e Kuvendit të Komunës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja! Kryetar, ky është apel publik!
Për hir të qytetarëve, pranoni shqyrtimin e kërkesave të partive opozitare dhe ofroni një zgjidhje për dalje nga kjo situatë që nuk i sjell dobi askujt. Kërkesa joligjore për shpërbërjen e Kuvendit ka vërtetuar dështimin tuaj për zgjidhjen e çështjeve përmes kompromisit. Andaj, reflektoni!Veproni menjëherë, sepse interesi i përgjithshëm është më i rëndësishëm sesa kalkulimet tuaja politike”, ka shkruar Murseli.