Refuzohet kërkesëpadia në rastin ku për vërtetim pronësie është paditur Komuna e Ferizajt dhe shkolla “Gjon Serreçi”

Në këtë çështje kontestimore, paditësit kanë paditur Komunën e Ferizajt dhe Shkollën Fillore “Gjon Serreçi”, me arsyetimin se kanë të drejtën e pronësisë dhe të shfrytëzimit të vendit të quajtur “7 korriku”

Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësve Sh.S., B.M., Rr.S., S.T., N.S dhe K.S., përmes së cilës kishin kërkuar që të vërtetohet se kanë të drejtën e shfrytëzimit të paluajtshmërisë secili me nga 1/6 e pjesës ideale në Zonën Kadastrale në Ferizaj.

Po ashtu, me vendimin e përpiluar më 26 janar 2024, Themelorja e ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësve B.M., Rr.S., S.T., N.S dhe K.S., përmes së cilës kanë kërkuar që të vërtetohet se e kanë të drejtën e shfrytëzimit të paluajtshmërisë secili me nga 1/5 e pjesës ideale në ZK Ferizaj.

Në këtë çështje kontestimore, paditësit kanë paditur Komunën e Ferizajt dhe Shkollën Fillore “Gjon Serreçi”, me arsyetimin se kanë të drejtën e pronësisë dhe të shfrytëzimit të vendit të quajtur “7 korriku”.

Sipas aktgjykimit, thuhet se gjykata, pasi bëri shqyrtimin dhe analizimin e provave një nga një dhe të gjitha së bashku, në kuptim të nenit 8 të LPK-së, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar. Aty thuhet se gjykata nga provat e administruara dhe deklaratat e palëve ndërgjyqëse, ka vërtetuar gjendjen faktike se ndërmjet palëve ka qenë kontestuese baza juridike e kërkesëpadisë.

Sipas aktgjykimit, gjykata përmes marrëveshjes gjyqësore ka vërtetuar faktin se familja N., ia ka bartur të drejtën e shfrytëzimit të sipërfaqes prej 23 ari M.Z., ku e kishte ndërtuar shtëpinë dhe disa pjesë ua kishte dorëzuar në shfrytëzim D.L dhe V.A., kurse në emër të shfrytëzimit të pronës, M.Z., ia kishte paguar familjes N., 230 mijë dinarë të vjetër. Përmes ekspertizës dhe plotësimit të saj, gjykata thekson se është vërtetuar se fillimisht kanë qenë 72 ari e 77 metër katror e më pas është bërë copëtimi i kësaj prone në prona të vogla.

Më tej, thuhet se gjykata përmes dëshmisë së vdekjes (të 28 prillit 2023), me të cilën rezulton se paraardhësi i paditësve është M.S., kurse në marrëveshjen gjyqësore rezulton se i paditur në atë lëndë ka qenë M.Z., përmes këtyre provave gjykata nuk ka mundur të vërtetojë lidhjen kauzale se a kemi të bëjmë me personin e njëjtë, pasi që dëshmia e vdekjes është lëshuar në emër të M.S., kurse në marrëveshje gjyqësore është emri i M.Z. Përmes kontratës së 9 nëntorit 1970, thuhet se rezulton që M.Z., ia kishte bartur të drejtën e shfrytëzimit blerësit Sh.A., për sipërfaqen prej 5 ari.

Gjykata në bazë të këtyre provave, erdhi në përfundim se paditësit nuk e kanë vërtetuar bazën juridike të kërkesëpadisë sa i përket paluajtshmërisë NK.nr. 2048-4, pasi që Komuna e Ferizajt e kishte tjetërsuar pronën në emër të saj me destinim për SHFMU “Gjon Serreçi”.

Për më tepër, thuhet se paditësit të drejtën e tyre e bazojnë në marrëveshjen gjyqësore, e që nuk është vërtetuar në mënyrë bindëse dhe të pakontestueshme se paraardhësi i paditësve e ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të pronës, ku kanë pasur të drejtë shfrytëzimi edhe V.A dhe D.L. Andaj, meqenëse nuk është vërtetuar me asnjë provë shfrytëzimi-posedimi dhe as ligjshmëria e saj në NK.nr. 2048-4, mbi këtë bazë gjykata e ka refuzuar kërkesëpadinë e padisëve sikurse në dispozitivin I.

Edhe kërkesëpadinë për pronën NK.nr. 2048-3 në sipërfaqe 418 metër katror, e cila evidentohet me bashkëpronarë shfrytëzues N.N., P.N., K.N dhe L.N., gjykata e ka refuzuar si të pabazuar si në pikën II të dispozitivit pasi që pronarët-shfrytëzuesit e saj nuk janë palë në procedurë në cilësi të të paditurve, andaj refuzohet në bazë të mungesës së legjitimitetit pasiv të palës në procedurë.

Kurse, edhe për pronën NK.nr.2048-7, për shkak se pronarët-shfrytëzuesit e saj të cilët evidentohen në fletën poseduese nuk janë palë në procedurë në cilësit të të paditurve, në mungesë të legjitimitetit pasiv të palës në procedurë në kuptim të nenit 76 të LPK-së, gjykata e refuzoi si të pabazuar, ngase ka qenë e domosdoshme që në rastin konkret të jenë palë në procedurë edhe në aspektin formal-juridik N.N., P.N., K.N dhe L.N.

Më tej, sa i përket kontratës së shitblerjes (marrëveshjes për shitje) e lidhur mes të lartpërmendurve nga njëra anë dhe M.Z., në anën tjetër, ku në nenin II të asaj kontrate palët janë pajtuar që objekt i shitjes të jetë i tërë NK.nr.2048-0 dhe ajo ka qenë marrëveshje gjyqësore, kësaj kontrate gjykata nuk ia fali besimin pasi fillimisht është pa datë, nuk është nënshkruar dhe nuk është vërtetuar në gjykatë që i mungojnë elementet esenciale për të qenë valide.

Andaj, gjykata konstaton se sa i përket paluajtshmërisë NK.nr.204803, paditësit nuk e kanë vëretuar mirëbesimin e posedimit dhe as ligjshmërinë e saj, që është kusht për njohjen e të drejtës së shfrytëzimit të pronës.

Ndërsa, sipas Themelores, sa i përket paluajtshmërive NK.nr.2043-3 dhe 2048-7, gjykata e ka refuzuar gjithashtu si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësve pasi që nga certifikata pronësore rezulton se këto prona evidentohen shfrytëzues N.N., P.N., K.N dhe L.N e jo në emër të të paditurve Komuna e Ferizajt apo të paditurës së dytë SHFMU “Gjon Serreçi” e që në rastin konkret palë në procedurë është dashur të jetë edhe N.N., P.N., K.N dhe L.N., në emër të së cilëve evidentohen këto prona.

Lidhur me pretendimin e paditësve se paraardhësi i tyre e ka pasur të ndërtuar shtëpinë në NK.nr.2048-4, pretendimi i tillë për gjykatën është i paargumentueshëm, ngase në NK.nr.2048-4 ka qenë oborri që e ka shfrytëzuar shkolla, kurse shtëpia është ndërtuar në NK.nr.2048-7.

Edhe pretendimi se e paditura e ka bërë rrethojën e oborrit të shkollës dhe e ka pamundësuar vazhdimin e posedimit, gjykata vlerëson se nuk qëndron, ngase paditësit sipas gjendjes faktike nuk e kanë pasur në shfrytëzim atë pronë. Andaj, në vendim thuhet se gjykata ka ardhur në përfundim se nga provat të cilat janë administruar, nuk është provuar me asnjë provë që paditësi t’i këtë blerë pronat objekt kontesti nga familja N., gjegjësisht të kenë hyrë në posedim të qetë me mirëbesim dhe të ligjshëm përveç pjesës NK.nr.2048-7 ku janë të ndërtuar shtëpitë.

Sipas aktgjykimit, gjykata e ka marrë për bazë këtë rrethanë, por meqenëse nuk kanë qenë palë në procedurë N.N.,P.N., K.N dhe L.N., e ka refuzuar këtë pjesë të kërkesëpadisë.

Gjykata me rastin e vendosjes ka marrë për bazë edhe faktin se nuk është e lidhur për bazën juridike të kërkesëpadisë siç parashihet me nenin 252, par.2 të LPK-së, gjykata nuk ka mundur të gjejë bazë tjetër juridike me të cilën do të vërtetohej nëse paditësit i takon e drejta e shfrytëzimit të pronësisë në pronat të përshkruara si më lart, andaj nuk ka gjetur bazë për të vendosur ndryshe, kështu ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e paditësve.

Sipas padisë, paditësit kanë paditur Komunën e Ferizajt dhe Shkollën Fillore “Gjon Serreçi”, duke kërkuar vërtetimin e të drejtës së shfrytëzimit të pronësisë në bazë të marrëveshjes gjyqësore dhe kontratës mbi shitblerje.

Në padi thuhet se prindi i paditësve, M.S., e kishte blerë paluajtshmërinë (Njësinë Kadastrale Nr.02048), në vendin e quajtur “7 Korriku”, në sipërfaqe prej 72.77 ari, e regjistruar në fletën poseduese Nr.1986 ZK Ferizaj, në vitin 1964, për çmimin e kontraktuar, të cilin çmim të kontraktuar e kishte paguar në tërësi dhe e njëjta paluajtshmëri i ishte dorëzuar në posedim, me të drejtë të shfrytëzimit sepse e njëjta kishte të bënte me pronën e nacionalizuar, kështu që shitësit L.N, K.N dhe T.N, të cilët i përfaqësonte vëllau L.N, kishin lidhur kontratë me shkrim.

Padia thotë se iu shit prindit të paditësve e drejta e shfrytëzimit në kuptim të së drejtës pronësore, që shitësit në paluajtshmërinë e shitur nuk kishin asnjë të drejtë në të ardhmen.

Gjithnjë sipas padisë, M.S., në bazë të marrëveshjes gjyqësore të lidhur pranë Gjykatës Komunale në Ferizaj, kishte pranuar nga L.N, K.N dhe T.N., t’ia bartnin të drejtën e shfrytëzimit të 23 ari nga parcela, në vendin e quajtur “7 Korriku”, në Ferizaj. Kjo parcelë, thuhet se në tërësi kishte një sipërfaqe të përgjithshme prej 72.77 ari, dhe me këtë rast shitësit bartin vetëm të drejtën e shfrytëzimit.

Kështu, paditësit kanë kërkuar nga Drejtoria e Kadastrit, Pronës dhe Drejtoria për Urbanizëm, si dhe Drejtoria e Infrastrukturës, që të njoftohen rreth procedurës së shpronësimit të regjistrimit të paluajtshmërisë si pasuri e Komunës së Ferizajt, destinuar Shkollës Fillore “Gjon Serreçi”, por nga këto institucione komunale nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje, kështu që paditësit ishin të shtyrë të kërkojnë mbrojtje nga Gjykata, e cila zyrtarisht të kërkonte se me çfarë baze, paluajtshmëria kontestuese ishte copëtuar si njësi kadastrale dhe regjistruar – destinuar për shkollën.

Paditësit thuhet se kishin tentuar edhe nga ish-pronarët-trashëgimtarët e tyre që të rregullonin këtë çështje kontestimore, por nga ta kishin marrë përgjigje se prindërit e tyre e kishin rregulluar këtë çështje kontestimore me marrëveshje gjyqësore dhe me kontratë, dhe se nuk kishin dijeni se si kishte ardhë deri te copëtimi i pronës, e cila kishte sipërfaqe të përgjithshme prej 72.77 ari, për të cilin shpronësim askush nuk i kishte pyetur.

Andaj, në bazë të kësaj padie, paditësit kanë kërkuar që gjykata të aprovojë kërkesëpadinë e tyre dhe të vërtetojë se paditësit kanë të drejtën e pronësisë, të drejtën e shfrytëzimit të vendit të quajtur “7 korriku” në sipërfaqe prej 72.77 ari. Po ashtu, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që të detyrojë të paditurën Komuna e Ferizajt dhe Shkolla Fillore “Gjon Serreçi”, t’ua kthejnë paditësve të drejtën e shfrytëzimit të pronësisë.

Paditësit në bazë të padisë, kanë kërkuar që gjykata të obligojë të paditurit që t’i kompensojnë të gjitha shpenzimet që rrjedhin nga kjo procedurë kontestimore.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika