Mediat dhe gazetarët janë ata që gjenden në një rrugë të ndërmjetme. Në mes të ngjarjes në një anë, dhe publikut nga ana tjetër. Janë pikërisht gazetarët dhe mediat ata që përçojnë deri te publiku ngjarjen e cila po zhvillohet.
Mirëpo, kjo nuk është e tëra, puna për ta realizuar këtë është mjaftë sfiduese dhe me një rrezikshmëri të lartë, madje në shumë raste edhe me fatalitet. Sidomos, kur ngjarja zhvillohet në vende me luftëra (siç po ndodh tani në Ukrainë) apo vende me regjime të ndryshme qeverisëse.
Nga ana tjetër, gjithmonë është politika ajo e cila dëshiron ta “përpunojë” lajmin. Kjo ndodh sepse dëshiron t’ia “shesë” atë publikut të vet në formën që ajo dëshiron, pavarësisht kostos.
Pra, janë pikërisht gazetarët që sulmohen nga të gjitha anët, siç kemi rastet në Kosovë por edhe në vendet e tjera të rajonit. Jo thjesht dhe vetëm nga politika, por edhe nga ekonomia, e madje edhe nga grupe të tjera të interesit.
E vërteta është dhimbja më e madhe. Këtë mundohen ta transmetojnë gazetarët, pra ngjarjen/lajmin, vetëm ashtu siç është zhvilluar, apo siç është duke u zhvilluar, pa ndërhyrje e pa i dhënë kahje tjetër.
Mediat dhe gazetarët, jo gjithkund dhe në rrethana të njëjta e kryejnë detyrën e tyre. Kjo varet nga regjimet e pushtetit.
Pra, mediat kalojnë kryesisht në katër lloje të regjimeve. Dy nga këto regjime nuk janë demokratike, ndërsa dy të tjera po. Dy regjimet e para konsiderojnë se njeriu është qenie e keqe dhe, për këtë arsye, nuk njohin vullnetin e lirë të tij. Sipas tyre, njeriu duhet të jetë i mbikëqyrur e i drejtuar [indoktrinuar].
Ndërsa dy regjimet tjetra, konsiderojnë se njerëzit janë qenie të arsyeshme, për këtë arsye, nëse ata kanë qasje në informacion dhe nëse janë të lirë për t’i shprehur idetë e tyre, do të dinë ta administrojnë shoqërinë në të cilën jetojnë.
Në regjimin autoritar i cili ka qenë edhe i zakonshëm deri në mesin e shek. XIX-të, por edhe gjatë shek. XX-të, kur shteti fashist mori zakonet e monarkive absolute, në këtë regjim, mediat mbeten sipërmarrje private me qëllim fitimprurës. Mirëpo, autoritetet e censurojnë vazhdimisht përmbajtjen e lajmit. Edhe kur informacioni dhe argumentet mund të jenë përmbysëse, idetë e shprehjes duhet të jenë vetëm në përputhje me interesat e pushtetit.
Në të vërtetë informacioni dhe argëtimi mund të jenë në përputhje me interesat e pushtetit. Në këtë lloj regjimi, nuk ka as shtyp opozitar e as debat politik. Kurse disa kategori lajmesh, që mund të tregojnë mosfunksionimin e sistemit shtetëror, janë të ndaluara.
Në regjimin komunist, mediat nuk mund të kuptohen jashtë shtetit totalitar i cili përfshin në vete të gjitha institucionet dhe industrinë, në të cilën të gjitha funksionojnë si ingranazhe të të njëjtit mekanizëm. Këtu, koncepti i lirisë së shtypit nuk ka kuptim. Ky lloj pushteti ka filluar në Rusi në fillim vitet e ’20-ta, për t’u shtrirë pastaj në Evropën Lindore, në Kinë dhe vende të ndryshme të botës së tretë.
Në shtetet totalitare, shteti i përdor mediat për të përhapur ideologjinë e vet zyrtare. Kjo ndodh për t’ua mësuar njerëzve atë, dhe për ta nxitur popullin që ta ndjekë e imponojë këtë ideologji. Pra, funksioni primar i mediave në këto regjime është të gënjyerit, dhe të fshehurit e gjithçkaje që nuk i shërben interesave të elitës në pushtet.
Në botën e tretë pretendohej se mediat kishin një rol të veçantë, pra, t’i shërbenin zhvillimit, të edukonin popullin, të ngjiznin në një komb grupe heterogjene dhe të ruanin kulturën lokale. Në fakt, në disa diktatura ushtarake që pretendonin se ishin “socialiste”, mediat e pazhvilluara kanë shërbyer për të mbajtur në pushtet një despot.
Në regjimet liberale, informimi është bërë normë ndërkombëtare falë një artikulli. Bëhet fjalë për artikullin e 19-të të Deklaratës ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara(1948).
Kjo doktrinë kishte lindur kohë më parë, pra në shekullin e iluminizmit (shek.XVIII), në të cilën duhen raportuar të gjitha faktet, dhe të gjitha opinionet duhet të hidhen në “tregun e ideve”.
Sepse vetëm atëherë, njeriu është i aftë ta dallojë të vërtetën nga e pavërteta dhe ka prirje për t’u frymëzuar prej saj në sjelljet e tij.
Mirëpo, ky iluzion nuk i ka rezistuar komercializimit të shtypit. Ky komercializim quan të mirë gjithçka që është me përfitim.
Ndërsa, në regjimin e ndihmës shoqërore, idetë e tij janë përhapur dhe pranuar gjithandej. Sipas kësaj doktrine, mediat nuk duhet të jenë as pronë e shtetit dhe as nën kontrollin e shtetit. Këtu, kërkohet që media të jetë e përgjegjshme kundrejt grupeve shoqërore dhe duhet t’u përgjigjen nevojave dhe dëshirave të tyre.
Kur qytetarët janë të pakënaqur nga shërbimi që u ofrohet, mediat duhet të reagojnë drejtë përmirësimit të vetvetes. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, është detyrë e parlamentit që të ndërhyjë. Pikërisht për të shmangur këtë ndërhyrje, mediat fillojnë të mendojnë për deontologjinë.
Asnjërin nga regjimet e përmendura më lartë nuk mund t’i hasim në një formë të pastër, pra gjithmonë kemi një larushi.