Regjimi i letrave ngjitëse, targat – simbol i hendekut

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se Qeveria e Kosovës është dashur t’i marrë për bazë më herët këshillat ndërkombëtare për çështjen e targave, sepse nga e njëjta sipas tyre kanë pasuar “gabimet” e tjera. Megjithatë, Kosova duhet të jetë e gatshme për të dëgjuar por jo domosdoshmërisht për të përqafuar çdo lloj propozimi

Në fillim u përdorën letrat ngjitëse, për çka shumë automjeteve me prejardhje nga Serbia nuk mund t’u shiheshin simbolet shtetërore të fqinjit verior.

Të njëjtat u përdorën pavarësisht se marrëveshja e përkohshme për këtë gjë, e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, skadoi më 21 prill.

Kosova dhe Serbia nuk u pajtuan për ndonjë zgjidhje të përhershme për targat, teksa pas takimeve që u mbajtën më 21 prill, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për mosgatishmëri që të arrihej një ujdi për këtë çështje. Por, pavarësisht dështimit për të arritur marrëveshje deri në afatin e 21 prillit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet për çështjen e targave.

“Sovraniteti – vullnet burimor i qytetarëve, jo dhuratë”

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë se bashkërendimi i hapave me vendet mike e aleate, siç është ShBA-ja, është përcaktim politik prej kohësh, andaj sipas tij, konsultimet dhe bashkëpunimet ndërmjet autoriteteve politike të Kosovës dhe atyre Amerikane për tema me interes vital duhen konsideruar çdoherë dhe në çdo kohë.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Pula kishte theksuar se Kosova politike duhet të jetë e gatshme për të dëgjuar, por jo domosdoshmërisht për të përqafuar çdo lloj propozimi.

“Duhet kuptuar një herë e përherë, se sovraniteti është vullnet burimor i qytetarëve dhe jo i sjellë dhuratë. Andaj, secili konstelacion politik qeverisës në vend, para së gjithash, duhet të respektojë kushtetutën e vendit para çdo kërkese tjetër politike”, kishte thënë ai.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Ai kishte potencuar se jo rrallë ndikimet nga të papriturat apo të panjohurat përgjatë ecurisë së procesit, pashmangshëm e bartin ndikimin te palët dialoguese.

“Por, i gjithë rrugëtimi duhet të jetë konsistent në arritjen e objektivit kryesor, atë të një Traktat Paqeje, ngase vetëm përmes një Traktati garantohet përhershmëria e paqes, njohjes së ndërsjellë dhe normalizimit të raporteve”.

Por, kur për çështje teknike kishte tensione midis palëve si ajo e zgjedhjeve në veri, çfarë pritet të ndodhë kur në tavolinën e bisedimeve do të vendosen çështje më të mëdha si ajo e Asociacionit? Për këtë Pula ishte shprehur se shteti fqinj, Serbia, përgjatë procesit të dialogut ka ngritur çështje teknike, si një strategji për të ndikuar në procesin e gjithëmbarshëm.

Po ashtu, sipas tij, Serbia ka theksuar pika të caktuara të marrëveshjes së 19 Prill 2013 si të veçanta për nga rëndësia e tyre politike, por, Kosova politike, respektivisht zyrtarët përgjegjës për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e dialogut, siç kishte thënë Pula, duhet të kenë kujdes mbi rëndësinë e secilës temë në tërësinë e tyre.

“Natyrisht, se përgjatë procesit të dialogut dhe ndërrimit të qeverive në vend, përfshirja e shumë zyrtarëve në proces ka krijuar vështirësitë e konsistencës profesionale e politike si aktivitete të institucioneve të vendit”.

“Prej një gabimi në gabimin tjetër”

E në anën tjetër, për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, sa i përket çështjes së targave, Qeveria ka dështuar t’i mbushë obligimet e saj ligjore.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Arifi kishte thënë se në fillim kishte në njëfarë mënyre një kampanjë të jashtëzakonshme, të fuqishme populliste në atë se Kosova është shtet i pavarur.

“Ne duhet të vendosim për targat duke anashkaluar problemet politike që ekzistojnë në veri që nga paslufta, dhe ndryshimi i vendimit brenda një nate, dhe ku u detyruan të bëjnë një marrëveshje jo shumë të mirë për Kosovën, sepse pika e dytë e marrëveshjes nuk specifikon asnjë afat kohor se kur do të duhet të implementoheshin targat e Kosovës, prej një gabimi në një gabim tjetër”, kishte thënë ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Sipas Arifit, po të dëgjoheshin këshillat e SHBA-së, problemi nuk do të eskalonte në atë mënyrë, e nga pasuan pastaj një varg ngjarjesh.

“Nga ai gabim kemi edhe ikjen apo dezertimin e serbëve të Kosovës nga institucionet, ata kanë mundur ta bëjnë këtë më herët, por e kanë kërkuar një shkas që ta gjejnë shkakun dhe ne atë realisht ia kemi dhënë me çështjen e tabelave”, kishte shtuar profesori Arifi.

“Vakuumi total institucional për 6 muajt e ardhshëm”

Derisa fliste për çështjet teknike, Arifi kishte potencuar se kjo ka ndikuar në ngecjen e dialogut.

“Duke u marrë me çështje teknike, po ngecim në nivel teknik të negociatave. Ndërsa dialogu po kërkohet të avancohet sidomos me planin franko-gjerman, ne ende kemi ngecur në çështjen e targave, sepse nga ai problem kemi ardhur në një problem tjetër, sepse nga bojkotimi i serbëve patëm datën e zgjedhjeve presionin për shtyrjen e tyre, tash kemi një vakuum total institucional për 6 muajt e ardhshëm, një politikë e gabuar e Qeverisë, pa një strategji se si duhet t’u qaset problemeve dhe çka nëse plani A apo B apo C dështon. Nuk ka pasur një përgatitje”.

“Në këtë pikë ku jemi është që Asociacioni është bërë çështje e padiskutueshme apo e pakthyeshme në kuptimin që do të jetë e padiskutueshme për palën serbe”.

Nëse Kosova mbetet në çështjet teknike, Arifi ishte shprehur i bindur se kjo fazë i konvenon vetëm Serbisë.

“Kosova duhet të jetë më aktive apo proaktive, jo të presim dhe të reagojmë, sepse nuk zgjidhim problemin në favorin tonë”.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

Ilustrim

Por, pavarësisht kësaj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, Kosova dhe Serbia, në vitin 2016 sërish janë dakorduar për vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që do të thotë se “afati i përdorimit” të tyre ka skaduar në vitin 2021.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në vitin 2020 kishte anuluar Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e automjeteve me targa KS, në mënyrë që ato të mos lëshohen më nga shtatori i vitit 2021.

Më 18 gusht 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë raundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.

Pamje nga takimi i fundit në Bruksel

Por, unioni ndërkombëtar u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Kosova, më një gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, kishte shkaktuar revoltën e serbëve në veri të Kosovës në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit të sivjetmë.

Serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës me kamion dhe mjete të tjera, duke e bërë ta pamundur qarkullimin në dy pikat kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Rrugët e bllokuara nga barrikadat në Veri

Por, pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria e Kosovës shtyu vendimin për 1 shtator.

Kjo me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili e ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit të targave dhe të dokumenteve hyrëse-dalëse për 30 ditë.

Hovenier kishte thënë se vendimi për reciprocitetin për letërnjoftime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë, pasi sipas tij ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve. Pas një muaji, më një shtator, në Qendrat e regjistrimit të automjeteve, në të katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe ishin kryer të gjitha përgatitjet për riregjistrimin e automjeteve.

Zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin me targa RKS (Republika e Kosovës) të automjeteve që posedojnë targa të qyteteve, i cili nisi më 1 shtator dhe që do të zgjaste 61 ditë, do të bëhej në bazë të Udhëzimit administrativ 03/2022 të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, i cili ishte publikuar më 8 korrik të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte bërë thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS – Republika e Kosovës – teksa më 1 shtator kishte nisur afati dymujor për riregjistrim. Kurti kishe theksuar se afati për riregjistrimin e automjeteve do të vazhdonte deri më datën 31 tetor.

Vetëm edhe të hënën e 31 tetorit, veturat me targa të lëshuara nga Serbia do të mund të lëvizinin lirshëm në territorin e Kosovës. Kjo, sepse, të martën e një nëntorit, do të hynte në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës që parashihte vërejtje dhe gjoba për ata që nuk i konvertojnë targat ilegale në ato RKS.

Zbatimi i këtij vendimi do të bëhej në tri faza, fillimisht parashiheshin vërejtjet, ndërsa pas tri javësh edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën. Duke filluar nga një nëntori e deri më 21 nëntor ishte paraparë masa e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, parashihej masa e gjobitjes.

Nga 21 janari, targa provuese për dy muaj të tjerë, ndërsa pas 21 prillit, sipas vendimit, nuk do të lejoheshin më targa ilegale në qarkullim. Disa ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i është kërkuar që të shtyhet vendimi për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj. Kësaj thirrjeje i është bashkuar edhe Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse mori vendim për shtyrjen e këtij afati, megjithatë, ai vendosi masat e ashtuquajtura “qortuese”.

Ky vendim nuk u prit mirë nga SHBA-ja.

SHBA-ja dhe BE-ja u shprehën të zhgënjyera, pasi Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e tyre për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, për 10 muaj.

“Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhej në reagimin e SHBA-së.

Kurse, në reagimin e BE-së thuhej se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”. Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth një mijë e 740 qortime për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.

Më 21 nëntor, pak para se të hynte në fuqi zbatimi i masës së dytë të vendimit për riregjistrim të makinave me targa ilegale në ato RKS, në Bruksel u zhvillua një takim urgjent midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësuesit të BE-së, Josep Borrell.

Ani pse ky takim zgjati me orë të tëra, i njëjti nuk rezultoi me marrëveshje pozitive.

Më 22 nëntor, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq, më 23 nëntor, kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Borrell ka thënë se Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Përfaqësuesi i lartë për politikat e Jashtme, Josep Borrell

 

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel në mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, kishte thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.

Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se pala serbe ka arritur të ruajë paqen dhe stabilitetin, dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar në ditët e kaluara”.

Mosmarrëveshje, takime në Bruksel, tensione, marrje të vendimeve, bllokada, sulme e sirena. Të gjitha këto përshkruajnë pothuajse tërë vitin në politiken e çështjes së targave. Emri i shtetit të Kosovës u lakua si rrallëherë më parë në mediat vendore, rajonale e ndërkombëtare.

Kosova, ndonëse nuk ngurroi në të drejtën e saj, megjithatë bëri përpjekje për të arritur një konsensus me Serbinë.

Por, kjo siç duket, Serbisë nuk po i mjafton.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika