Lojrat janë shumë të rëndësishme për fëmijët në moshë të hershme. Ato ndihmojnë në zhvillimin e tyre fizik, intelektual dhe emocional.
Lojrat ofrojnë mundësi për fëmijët të zbulojnë botën, të zhvillojnë kreativitetin dhe imagjinatën e tyre, dhe të mësojnë rregulla dhe rutina të ndryshme.
Gjithashtu, lojërat mund të ndihmojnë në zhvillimin e komunikimit, kooperimit dhe lojës së rolit. Për shkak të këtyre arsyeve, lojërat janë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të fëmijëve në moshë të hershme.
Në lidhje me këtë temë, e ftuar në Radio Dukagjini, ka qenë logopedia Albina Statovci, e cila ka thënë se prindërit duhet të jenë mirë të informuar për lodrat që ua sjellin fëmijëve.
Statovci, ka thënë se lojërat kanë rol të rëndësishme sidomos prej moshës zero deri në gjashtë muaj.
Ajo ka theksuar se fëmijët duhet të kenë në pronë lodra me shumë ngjyra e me figura të ndryshme që do të ngjallnin te ta kureshtjen për t’i komentuar.
“Lojërat kanë rol kryesor rol kyç prej moshës 0 deri në 6 muaj, është formë se si ne të rriturit formojmë komunikim. Kur arrijnë në moshën 2 vjeçare kur largohen nga lojërat e vetme dhe shikojnë të afrohen me moshatarët, imitojnë personin që e kanë përballë, kalojnë në lojë bashkëpunuese, me prindin apo këdo që e kanë pranë, se si me e zhvillu një aktivitet”, ka thënë ajo.
“Duhet të kemi sa më shumë lodra me ngjyra, sa më shumë me i komentu ato lodra, një ambient me figura të ndryshme, që e nxisin gjuhën se si shprehen, është e rëndësishme me e zhvillu imagjinatën tek fëmijët”, ka vijuar ajo.
Sipas Statovcit, kur fëmijët e arrijnë moshën pesë vjeçare e kanë aftësinë të kuptojnë se si zhvillohet një lojë dhe se nuk i bëjnë përshtypje lojërat e mëparshme.
Sipas saj fëmijët e zhvillojnë imagjinatën dhe luajnë më lodra ashtu si duan ata. Ajo tutje ka thënë se prindërit nuk duhet t’u japin fëmijëve sasi të mëdha të lodrave.
“Prindërit ndonjëherë e kanë të pamundur t’i refuzojnë kërkesat e fëmijëve për lodra. Ne rekomandojmë që lodrat sado shumë që janë mos t’i ekspozojmë të gjitha te ta. Te fëmijët duhet t’i ekspozojmë lodrat e preferuara, nëse me ato mërziten, atëherë ia ofrojmë të tjerat”, ka thënë ajo.
Rolin e rëndësishme të lojërave dhe lodrave e ka theksuar edhe edukatorja Liza Fazliu, e cila ka thënë se në kopshte fëmijët duhet të vëzhgohen në mënyrë që të shihen nevojat e tyre.
Sipas saj lojërat dhe lodrat kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e tyre gjuhësor.
“Duke marrë parasysh se po flasim për periudhën kohore që është vrull i zhvillimit të fëmijës, padyshim që i kushtojmë rëndësi edhe zhvillimit gjuhësor. Përmes një ekipi që përfshin logoped, psikolog dhe edukator”, ka thënë ajo.
Fazliu ka thënë se që nga moshat e vogla fëmijët kalojnë në disa faza. Ato janë, fusha eksploruese, ku fëmijët e eksplorojnë ambientin përreth.
“Duke fillu prej moshave të vogla ata mësojnë prej eksplorimit të ambientit, pse jo ta ofrojmë një ambient që ofron mundësi eksploruese, një ambient që kanë me pas mundësi të eksplorojnë, por të jetë i sigurtë. Çdo sjellje do të vëzhgohet”, ka thënë ajo.
Fusha tjetër sipas saj është ajo relacionale, ku fëmijët fillojnë t’i lidhin funksionet e objekteve.
Pas kësaj fushe, sipas Fazliut fillon faza funksionale ku fëmijët i imitojnë gjërat që i shohin dhe i lidhin funksionet e gjërave përreth.
“Pas fushës eksploruese, fillon faza relacionale, fillojnë me i lidhe funksionet e objekteve. Më pas fillon faza funksionale, fëmijët fillojnë me i lidhë funksionet e gjërave. Duke pa e dëgju fillojnë me imitu ato që i shohin”, ka thënë Fazliu.
Fusha tjetër është ajo simbolike e cila sipas Fazliut është koha kur fëmijët fillojnë t’i emërtojnë gjërat.
Ajo ka thënë se përmes lojërave, fëmijët fitojnë aftësi njohëse, sociale, motorike dhe aftësi të të folurit.