Drejtoria Komunale për Shëndetësi e menaxhon Kujdesin Parësor Shëndetësor të Komunës së Mitrovicës.
Fahri Shabani, Drejtor i Shëndetësisë në Mitrovicë, për Portali D ka thënë se gjendja në Repartin e Pediatrisë në Mitrovicë nuk është e mirë. Hapësira e punës është e vogël dhe objekti i vjetërsuar, i cili nuk plotëson kushtet minimale për të funksionuar një repart pediatrie.
Drejtori i Shëndetësisë në Mitrovicë ka thënë tutje se “Sfidat kryesore janë kushtet jo të mira për punë dhe hapësira e pamjaftueshme për funksionim normal të repartit”.
“Mjekët dhe infermierët e repartit, edhe pse në kushte jashtëzakonisht të vështira, po bëjnë punë të madhe dhe vetëmohuese në shërbim të pacientëve, për çka qytetarët e Mitrovicës u janë mirënjohës dhe i mirëkuptojnë rrethanat”.
Objekti i ri i Pediatrisë i cili ndodhet në kompleksin e objekteve të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, sipas Shabanit, qysh prej tetorit të vitit 2019 është jashtë përdorimit.
Ai ka shtuar se prej atëherë [2019] e deri më tash Ministria e Shëndetësisë me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Drejtorisë së Spitalit të Përgjithshëm, Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera relevante, nuk ka ndërmarrë asnjë hap që ky objekt të vihet në funksion, dhe të mundësohet fillimi i punës në objektin e ri të Pediatrisë.
Për objektin e ri të Pediatrisë jashtë përdorimit, Drejtori i Shëndetësisë ka thënë: “Objekti i ri i Pediatrisë, i cili ndodhet në kompleksin e objekteve të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës ‘Dr. Sami Haxhibeqiri”, qysh në vitin 2019 ka qenë shumë afër përfundimit, pra nuk ka qenë asnjëherë në funksion”.
Shabani ka shtuar se prej atëherë e deri më tash Ministria e Shëndetësisë me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Drejtorisë së Spitalit të Përgjithshëm, Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera relavante që ky objekt të vihet në funksion, nuk e ka ndërmarrë asnjë hap për të mundësuar fillimin e punës në objektin e ri të Pediatrisë.
“Lokalet në të cilat funksionon Reparti i Pediatrisë tash e shumë vjet nuk i përmbush kushtet minimale. Ndërsa, objekti i ri i ndërtuar (që ende nuk është përfunduar) edhe me shumë pak investime do të mund të funksionalizohej dhe do të ofronte kushte ideale për punë dhe qasje të përshtatshme për stafin dhe për pacientët”, ka thënë Fahri Shabani.
Për arsyen se pse objekti i ri i Pediatrisë është jashtë funksionit, Fahri Shabani nuk ka dhënë përgjigje.
Nga ana tjetër shefi i Repartit të Pediatrisë në Mitrovicë, Qenan Çabra për Portali D , ka thënë se gjendja e Repartit të Pediatrisë në Mitrovicë është shumë e vështirë, dhe se objekti në të cilin momentalisht punojnë nuk i plotëson kushtet minimale për punë.
“Kemi vetëm një dhomë për trajtimin e fëmijëve hospilator, pa mundësi të triazhimit të tyre në bazë të diagnozës, dhe se mundësia për bartjen e infeksioneve është shumë e madhe”, ka thënë Çabra.
Shefi i Repartit të Pediatrisë ka thënë tutje se objekti ku zhvillojnë punën është larg Laboratorit të Spitalit dhe Radiologjisë, dhe pacientët janë të detyruar t’i kryejnë këto shërbime vetë me transport privat.
Në Repartin e Pediatrisë në Mitrovicë, sipas Çabrës, mungojnë ordinancat specialistike, nxehja qendrore, klimatizimi, pritoret, nyjat sanitare joadekuate.
Gjithashtu, edhe hapësirat përcjellëse nuk i plotësojnë kushtet minimale për ofrimin e shërbimeve.
Nevojë imanenti për Repartin e Pediatrisë në Mitrovicë është shtimi i stafit mjekësor, specialist pediatër dhe staf ndihmës.
Çabra për Portali D ka thënë se shpresa e vetme qëndron te kalimi në objektin e ri, i cili është i kontestuar prej vitesh.
Sipas tij, çdo investim në objektin “ku punojmë momentalisht do të jetë shpenzim, i cili nuk do të arsyetojë qëllimin për përmirësimin e kushteve të punës”, ka përfunduar Çabra.