Qeveria e Republikës Srpska e ka shpallur të premten person non grata – apo të padëshirueshëm – ministren gjermane të shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann, një ditë pasi Gjermania ia ndaloi hyrjen në vend liderëve të këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës.
Gjermania dhe Austria njoftuan të enjten se tre liderët e entitetit serb të Bosnjës: presidenti Millorad Dodik, kryeministri Radovan Vishkoviq dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiq, do ta kenë të ndaluar hyrjen në këto dy vende, për shkak se kanë nxitur krizë kushtetuese në Bosnje.
Qeveria e Republikës Srpska tha se masat e përmendura kundër saj nga Gjermania, si dhe deklaratat publike dhe vizita e sotme në Republikën Srpska e ministres Luhrmann, janë “ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme dhe shkelje e konventave ndërkombëtare”.
“Për të mbrojtur integritetin politik dhe institucional të Republikës Srpska, Qeveria prezanton masa reciproke, të cilat përfaqësojnë një përgjigje proporcionale dhe legjitime në përputhje me praktikat ndërkombëtar”, tha Qeveria e Republikës Srpska të premten.
Ajo tha se për ketë arsye ka vendosur ta shpallë Luhrmannin person të padëshirueshëm në Republikën Srpska.
Gjermania dhe Austria thanë në vendimin e tyre të enjten se sulmet ndaj integritetit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës nga politikanët kryesorë të Republikës Srpska, “janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës dhe të gjithë rajonit”.
Në mars, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës lëshoi fletarrestime kombëtare për Dodikun, Vishkoviqun dhe Stevandiqun, duke i akuzuar se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës me veprimet e tyre.
Që të tre i kanë shpërfillur thirrjet e autoriteteve për t’u paraqitur për marrje në pyetje.
Dodik është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, por Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka qenë në gjendje të gjejë gjuhë të përbashkët për sanksione kundër tij, për shkak të kundërshtimit nga anëtarja e saj, Hungaria.
Qeveritë perëndimore besojnë se veprimet e Dodikut kanë për qëllim ndarjen e Republikës Srpska nga Bosnja.
Dodik u dënua në shkurt me një vit burg dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet për shkak të shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Si përgjigje, Asambleja Parlamentare e Republikës Srpska miratoi ligje të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.
Dodik i dekretoi ato ligje më 5 mars.
Republika Srpska e kaloi në mars një draft të kushtetutës së re, e cila do ta përcaktonte këtë entitet si një shtet të popullit serb, do t’i jepte të drejtën për vetëvendosje dhe do ta themelonte ushtrinë e saj.
Të gjithë këto bien drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjës dhe me Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe, e cila e përcaktoi Republikën Srpska si njërin nga dy entitetet e Bosnjës.
Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje.
Këto veprime të Republikës Srpska janë dënuar pothuajse në mbarë botën, nga sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio, te shefi i NATO-s Mark Rutte dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit. Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.
Gjatë mandatit të tij si president i Republikës Srpska, Dodik është përballur me kritika për prirje autoritare, minimin e institucioneve demokratike dhe krijimin e një kulture të patronazhit politik.