Partia Republikane ka fituar shumicën në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke e rikthyer kontrollin e kësaj dhome të Kongresit për herë të parë në katër vitet e fundit, raportoi agjencia “Associated Press”.
Kjo fitore shënon një moment të rëndësishëm për republikanët, të cilët tani do të kenë një ndikim më të madh në politikën amerikane, përfshirë aprovimin e kabinetit të presidentit të ri dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në rast të ndonjë vendi të lirë.
Ky zhvillim ka implikime për qeverisjen e ardhshme, duke i dhënë Partisë Republikane një rol vendimtar në proceset legjislative dhe të konfirmimit. Ndërkohë, rezultati për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve mbetet i pasigurt, pasi garat për më shumë se 100 ulëse ende nuk janë përmbyllur.