U ndërtua para një shekulli, e po restaurohet si një nga monumentet më të rëndësishme kulturore në Prishtinë.
Akrepat e Sahat Kullës pritet t’i kthehen punës së shpejti, pasi të përfundojnë punimet për restaurimin e saj. Punimet janë në kuadër të projektit të përbashkët ndërmjet komunës së Prishtinës dhe UNDP-së.
Ndërhyrjet në këtë monument, sipas komunës, po shkojnë sipas planifikimeve.

“Punimet po ecin ashtu siç duhet, në çdo moment jemi në kontakt të vazhdueshëm me UNDP-në dhe kryesin e punës. Deri më tani në këtë objekt të vjetër janë investuar rreth 130 mijë euro, mirëpo investime të tjera do të nevojiten në vazhdim për të rikonstrukturuar pjesën e jashtme të saj’’, thuhet nga komuna.
Ky projekt ka nisur në kohën kur Adrian Berisha udhëhiqte Drejtorinë e Kulturës në komunë.
Ai tregon rreth bashkëpunimit me organizatën ndërkombëtare për këtë monument të trashëgimisë kulturore.
“Ekipi i UNDP-së na ka kontaktuar si komunë e Prishtinës para disa viteve ku kanë thënë se ne e kemi këtë projekt dhe çka mundemi me bo bashkë.”

”Atëherë ne si komunë kemi propozuar disa objekte apo monumente me rëndësi të trashëgimisë kulturore në qytetin tonë, ku njëri nga to i cili është përzgjedhur është pikërisht monumenti i Sahat Kullës’’, ka thënë Adrian Berisha, ish-drejtor i Kulturës në Prishtinë.
Ndërsa, UNDP ka thënë për RTV Dukagjini se projekti synon t’ia zgjasë jetëgjatësinë monumentit.
“Sahat Kulla është një lokacion tejet i çmuar për të gjitha komunitetet në Prishtinë. Restaurimi i Sahat Kullës është i rëndësishëm për të siguruar që ndërtesa të qëndrojë e fortë edhe për shumë vite në vijim. UNDP ka kënaqësi të mbështes Komunën e Prishtinës në këtë iniciativë të rëndësishme për historinë e vendit tonë”, thuhet në përgjigjen e UNDP-së për RTV Dukagjini.
Punimet priten të përfundojnë deri në fund të muajit korrik.