Rezultati i thellë në raundin e parë në favor të kandidates presidenciale të VMRO-DPMNE-së dhe pritshmëritë për një fitore po ashtu të thellë të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, shton dilemat në opinionin publik lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Zvarritja e gjatë e integrimit duket se ka zhgënjyer shumë njerëz dhe për këtë flet rezultati i keq në raundin e parë të Social-demokratëve në pushtet. Por sa mund të jetë i dëmshëm për vendin një pushtet, eventualisht i drejtuar nga një parti nacionaliste, siç është VMRO-DPMNE-ja?
Analisti Xhelal Neziri duke theksuar retorikën e përdorur të kandidates së VMRO-së për presidente, Gordana Siljanovska Davkova thotë se nuk përjashtohet mundësia që marrëdhëniet ndëretnike të mos jenë aq të mira nëse ajo e fiton garën.
Ai vlerëson se gara presidenciale është e qartë dhe se zoti Pendarovski nuk i ka gjasat ta përmbysë rezultatin e raundit të parë në balotazh. Ndërkohë, sa i përket pritshmërive për fitoren e VMRO-DPMNE-së, analisti thotë se kjo parti nuk ka interes ta çojë përpara procesin e integrimit të vendit në BE.
“Nëse analizohet fjalori i përdorur gjatë fushatës parazgjedhore, nëse analizohen qëndrimet e saj në raport me ndryshimet kushtetuese që burojnë nga ‘propozimi francez’ , mund të konkludohet se VMRO-DPMNE nuk është e interesuar që vendi të ecë përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ndaj edhe me VMRO-DPMNE-në në krye të qeverisë, sepse ka shumë gjasa të ndodh për shkak se në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale mori një rezultat befasisht të mirë, mund të ndodh që procesi i integrimeve evropiane të mos shkojë ashtu siç duhet”, thotë zoti Neziri.
Drejtori për Evropën i Institutit Ndërkombëtar Republikan Amerikan, Paul McCarthy i tha Zërit të Amerikës se përmasat e fitores së kandidates për president të VMRO-s ishin befasuese, ndërsa ishte e qartë, si thotë, se VMRO-ja do të dilte e para. Ai thekson pakënaqësitë e elektoratit me qeverinë e LSDM-së dhe në veçanti me kandidatin e saj presidencial:
“Nëse VMRO-ja fiton në zgjedhjet parlamentare, do të jetë shenjë e qartë që banorët e Maqedonisë së Veriut duan të shohin një rrugë të re. Çfarë do të thotë kjo për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut (në Bashkimin Evropian) varet nga veprimet e qeverisë së re sa i përket pozitës së Bullgarisë për Kushtetutën dhe ndaj çështjeve tjera, siç është gjuha, e të tjera. Shpresoj që Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të zgjidhë mosmarrëveshjet me Bullgarinë, që të mund të vazhdojë në rrugën e vet drejt anëtarësimit në BE”, thotë zoti McCarthy.
Zëvendës-kryeministri në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut i ngarkuar me çështjet evropiane, Bojan Mariçiç, ndërkaq thotë se koncepti i ngritjes së nacionalizmit dhe tensioneve gjithmonë shkon në dëm të shtetit. “Vendit i kanoset një vorbull nacionalizmi dhe populizmi që nuk dihet se ku mund të na çojë”, shprehet ai.
“E shihni se në fushatë VMRO-DPMNE-ja nuk flet për integrimet evropiane; ngritet një retorikë nacionaliste, që u pranua madje dhe u nis nga Bashkimi Demokratik për Integrim, por qyetarët nuk do të shohin dobi nga kjo retorikë”, thotë zoti Mariçiç.
Analisti Albert Musliu shikon një tendencë ndikimi të Federatës Ruse me qëllim të nxitjes së frikës dhe mosbesimit ndaj BE-së te banorët e Maqedonisë së Veriut:
“Narrativi i brendshëm është prej dezinformatave, promovimit të euro-skepticizmit, promovimit të ideve se BE-ja vetëm sa nuk është shkatërruar apo se SHBA-ja e humbë hapin e liderit në botë, janë pjesë e narrativit rus i cili tenton ta rrisë skepticizmin ndaj proceseve euro-atlantike por edhe t’i ngrejë tensionet e brendshme, qoftë në rrafshin etnike apo fetar, ose në cilindo tjetër rrafsh ku ka çfarëdo mosmarrëveshje të brendshme në Maqedoni”, thotë zoti Musliu.
Nga ana tjetër, analisti Neziri thotë se partitë shqiptare të cilat do të ftohen për koalicionin e ri qeveritar i cili do të udhëhiqej nga VMRO-DPMNE-ja, mund ta kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht futjen e pakicës bullgare në kushtetutë.
Xhelal Neziri thotë se është një prirje jo vetëm evropiane e kohëve të fundit që forcat e spektrit të djathtë të fitojnë zgjedhjet, ndërsa për rrethanat e Maqedonisë së Veriut shpreson se do të ruhen vlerat themelore demokratike të saj./VOA