Në mediet ndërkombëtare është raportuar se një dron ka hedhur fara bliri dhe pisha të mbështjella me tokë në një kodër djerrë jashtë Prishtinës, e cila synon të ripyllëzojë mijëra hektarë të humbur nga prerjet ilegale dhe zjarret.
Ambientalistët kanë thënë se shpyllëzimi është duke i kufizuar kafshët e egra, si arinjtë e murrmë, rrëqebullin, dhitë e egra dhe kaprollin, popullsia e të cilëve po zvogëlohet në Kosovë.
Një studim i organizatës jofitimprurëse “Sustainability Leadership Kosova” (SLK), ka bërë të ditur se Kosova po humbet më shumë se 700 hektarë pyje në vit.
SLK-ja është bashkuar me kompaninë kroate “Project 02” për të hedhur farat nga dronët, një proces që ka thënë se është pesë herë më i shpejtë se mbjelljet e drurëve nga ana e njerëzve dhe se mund të arrijë zonat e largëta më shpejt.
“Duhet të bëjmë diçka tani, pyjet tona po shkatërrohen”, ka thënë themeluesja e SLK-së Indira Kartallozi në fshatin Butovc, i cili është jashtë Prishtinës.
“Sot kemi hedhur 500 topa me shumë fara brenda dhe ky është vetëm fillimi para se të fillojmë një ripyllëzim masiv në vjeshtë”, ka thënë Kartallozi.
E njëjta teknikë tashmë është përdorur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Brazil, Afrikë dhe Evropë për të luftuar shpyllëzimin e shpejtë, raporton Reuters.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin ka vlerësuar se pyjet me madhësinë e Portugalisë humbasin globalisht çdo vit.
Për çdo fluturim në Kosovë, droni është i mbushur me rreth 100 topa të zinj të përbërë nga fara të rrethuara nga një përzierje balte, rërë, biomasë e mbeturinave me minerale të pasura dhe përbërës të tjerë që mbrojnë farat nga insektet ose brejtësit.
Droni mund të mbjellë një hektar në dy orë dhe ka nevojë për dy mijë deri në pesë mijë topa, në varësi të llojit të farave.
“Avantazhi është se ne mund të mbjellim në çdo terren, veçanërisht në ato që nuk janë të arritshme për duart e njeriut”, ka thënë ekspertja e zhvillimit të qëndrueshëm, Lara Vukasovic nga “Projekti 02”.
Vukasoviq ka thënë se rreth 25-30 për qind e farave mbijnë, kështu që mbillen tri herë më shumë sesa që kërkohet.