Bashkimi Evropian ka hartuar një draft-propozim të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një afat kohor të qartë të veprimeve.
Për këtë ka shkruar edhe agjencia e lajmeve, Reuters, duke theksuar se projektpropozimi u është dërguar të dyja palëve të hënën.
Ndërsa, pritet që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare në më pak se një vit.
“Ka shumë gjëra që e bëjnë atë një hap të madh përpara në lidhje me situatën aktuale. Nuk është njohje e plotë, por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve”, ka thënë një diplomat për Reuters.
Marrëveshja me Kosovën mbetet një nga parakushtet kryesore për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Pasi dëgjuam të dyja palët, ne riformuluam propozimin. Propozimi përmban një aneks ‘me një kalendar të qartë veprimesh – kur dhe si duhet të ndodhin gjërat’”.
Të dyja vendeve u është kërkuar “të vazhdojnë angazhimin e tyre konstruktiv dhe të përqëndrohen në arritjen e përparimit të pakthyeshëm në normalizim”.
Kohët e fundit, tensionet midis Serbisë dhe Kosovës janë rritur kur Kosova mori vendimin për çështjen e targave.
“Ne e kemi inkurajuar gjithmonë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili duhet të zhvillohet në mirëbesim për të dyja palët,” ka thënë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Përderisa kjo çështje nuk zgjidhet – dhe që të zgjidhet të dyja palët duhet të bëjnë një hap prapa – do të jetë e vështirë të bëhet përparimi i nevojshëm në lidhje me përfundimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, shtoi ai.