Platforma Scopus është unike dhe indekson punën e autorëve autentikë, të cilët i kontribuojnë shkencës me anë të punimeve të tyre.
Në këtë platformë ndërkombëtare identifikohen ekspertët dhe prodhuesit e shkencës në mbarë botën, përfshirë këtu të tillë edhe nga Kosova. Më 15 shtator të këtij viti, vendi ynë është njohur nga kjo platformë, kështu është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social facebook, nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Njohja nga platforma Scopus është një mundësi që të masim potencialin hulumtues në vend dhe do të na ndihmojë si shtet që të bëjmë politika të bazuara në të dhëna, është sukses i rëndësishëm për të gjithë ne”, shtoi Nagavci.
E pyetur për këtë platformë, njohësja e arsimit, Bardha Qirezi, vlerëson se Scopus e përmirëson transparencën dhe kontributin shkencor, për të cilin, autorët kosovarë punojnë.
Qirezi tregoi për Portalin Dukagjini se publikimi i artikujve në këtë platformë, do t’i ndihmojë shumë mësimdhënësit, pasi ata do të jenë më produktiv. Mirëpo, për këtë ajo shprehet se nevojitet ndihmë financiare nga ana e institucioneve akademike dhe Ministrisë së Arsimit.
“Nevojitet mbështetje e mësimdhënësve nga universitetet dhe ministria, sepse paga të cilën ata e sigurojnë me anë të orëve mësimore nuk do të jetë motiv që mësimdhënësit të realizojnë punime shkencore”, ka thënë Qirezi.
Njohësja shpjegon se më parë publikimet janë bërë në mënyrë individuale, ndërsa tani për Scopus mund të zgjasë deri në gjashtë muaj pritja për të bërë publik një artikull.
Se a është e rëndësishme për vendin një platformë e tillë, ajo shtoi se Kosova ka nevojë që të zhvillojë një kulturë tjetër kërkimore, të krijojë një platformë të tillë mbarëkombëtare, por sipas saj, kjo nuk arrihet me një shkop magjik, kërkon angazhim, kohë dhe ekipe kërkimore.
Të njëjtin mendim ndan edhe njohësi i fushës së arsimit, Rinor Qehaja, i cili shprehet se pranimi në Scopus do të rrisë avancimin (visibilitetin) e Kosovës në shkencë dhe do të sjellë përfitim për vendin.
“Kosova do të përfitonte nga hulumtimi i vërtetë shkencor, por jo nga çelja eventuale e revistave shkencore, pra prioriteti ngelet kapaciteti hulumtues jo mjetet e publikimit”, thotë Qehaja.
Përgatitjet për antarësimin e revistave kosovare në Platformën Scopus
Lajmi se Kosova është njohur nga Scopus është pritur mirë edhe nga redaktorët dhe themeluesit e revistave shkencore në vend.
Së paku janë tri revista të cilat drejtuesit e tyre pretendojnë t’i anëtarësojnë në platformën Scopus.
Për revisten filozofike “Agora Philosophia” dhe revisten për kulturë “Symbol”, ka folur Labinot Kelmendi si redaktor përgjegjës dhe anëtar i bordit. Ai ka thënë se brenda dy viteve të ardhshme synohet që të bëhen pjesë e Platformës Scopus.
“Para anëtarësimit në Platformën Scopus, nevojiten dy vite për të testuar një revistë, të shihet a botohet me kohë, a i siguron financat dhe pastaj vendoset nëse anëtarësohet apo jo”.
“Sa i përket revistës Agora Philosophia, ku jam edhe redaktor përgjegjës, jemi duke e konsoliduar Bordin ndërkombtarë, brenda bordit janë edhr dy akademik; Anton Berishaj dhe Muhamedin Kullashi, gjë që e përforcon impaktin e revistës për antarësim në këto platëforma si Scopus dhe Web of Science. Problemi për anëtarësim nuk ka qenë akademik por politik, sepse Kosova nuk është në UNESCO”.
“Dhe rrjedhimisht duke mos qenë në UNESCO, Kosova nuk mundet me marrë ISSN-në, që është një parakusht për çdo revistë, me u anëtarësu në këto platforma si Scopus dhe WEeb of Science. Por, ne tani kemi me bë një hap tjetër, kemi me e marrë një shënjues online përmes platformes që thirret Crostep, që është platforma kryesore per shkencat humane”.
Kelmendi tutje ka thënë se ” ‘Agora Philosophia‘ i përmbush kriteret, pasi financohet nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, e ka komoditetin financiar dhe mund të botohet, por edhe ‘Symboli‘ do të anëtarësohet pasi ajo veç është pjesë e platformave si Eurozin, dhe ka funksionuar mirë”.
Revista ‘Symboli’ në “procesin e indeksimit në platformat e cekura. Kjo tash është e indeksume në platforma lokale dhe rajonale e tash do ta bëjë hapin e madh për Scopus dhe Web of Science, dhe është revistë që ka gjasa shumë të mëdhaja për të qenë pjesë e këtyre platformave”.
E veçanta e revistave, sipas Kelmendit, është fakti se “Agora Philosophia” është purofilozofike, ndërsa “Symboli” kulturologjike.
Kelmendi për Portalin Dukagjini, ka treguar se anëtarësimi në Platformën Scopus është procedurë e cila zgjat së paku dy vjet.
Ai ka thënë se “nëse arrijnë me u indeksu revistat, atëherë pranohen edhe nga universitetet, por edhe tash botumet në platforma lokale e kanë peshën e njejtë sikurse ato në platforma ndërkombëtare që do të bëhen pjesë … me qenë pjesë e Scopus-it dhe Web of Science, duhet me ju nënshtrua recensuesve që nuk e shprehin autorësinë, por që në thelb dihet autori”, ka përfunduar Kelmendi.
Ndërsa, revista e tretë e cila synon të jetë pjesë e Scopus-it, është revista ‘Thesis‘ e Kolegjit AAB.
Profesori i Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, ka thënë se në periudhën e njëjtë, pra brenda dy vitesh, synojnë që ta fusin revistën në Platformën Scopus.
Saliu shtoi se për të avancuar më shumë kërkimet shkencore të cilat i bëjnë prodhuesit kosovarë të shkencës, Ministria e Arsimit duhet të përpiqet që t’u mundësojë institucioneve të Arsimit të Lartë dhe instituteve kërkimore qasje të plotë në Platformën Scopus.
“Shumë vende e kanë këtë mundësi nëpërmjet mbështetjes buxhetore, sepse pagesa për qasje të plotë institucionale në Scopus është 140 mijë euro, ndërsa me sa di unë, Ministria ka qasje të plotë në Scopus. Kjo qasje më e nëvojshme është për institucionet arsimore dhe kërkimore në Kosovë”, përfundoi ai.
Deri më tani, asnjë revistë shkencore nga Kosova nuk është pjesë e platformës Scopus, ndërsa të gjitha punimet e hulumtuesve kosovarë kjo platëformë i ka evidentuar si të Serbisë.
Universitetet publike në Kosovë, për ngritje akademike të stafit dhe doktorantëve, kërkon prej vitesh që të kenë punime sipas kuotave, të botuara në platformën Scopus dhe Web of Science.